Lidhje

Vdes në moshën 77 vjeçare Senatori Eduard Kenedi


Vdiq në moshën 77-vjeçare senatori Eduard Kenedi, vëllai më i vogël i ish Presidentit Xhon Kenedi dhe një ndër ligjvënësit më me ndikim në historinë amerikane.

Familja Kenedi tha se ai vdiq të martën në qytetin e vogël Hajanis Port të shtetit Masaçusets. Senatori demokrat vuante nga një formë e pashërueshme e kancerit në tru prej më shumë se një viti.

Ai do të varroset në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, vendi ku prehen edhe vëllezërit e tij ish ish presidenti Jack Kenedi dhe ish senatori Robert Kenedi.

Më i riu mes vëllezërve Kenedi, Eduard Kenedi u vu në krye të dinastisë politike të familjes pas vrasjes me atentat të vëllezërve të tij, Presidenti Xhon Kenedi dhe senatori Robert Kenedi.

Presidenti Barak Obama tha se Kenedi ishte "senatori më i shquar amerikan i kohës sonë."

Në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga Shtëpia e Bardhë sot në mëngjes, zoti Obama tha se ai dhe bashkëshortja e tij Mishel u hidhëruan kur mësuan për vdekjen e zotit Kenedi. Presidenti tha se i çmonte këshillat e mënçura të senatorit gjatë kohës kur ata ishin të dy anëtarë të Senatit.

Ai shprehu mirënjohje për mbështetjen kritike të senatorit Kenedi gjatë fushatës së tij presidenciale të vitit 2008.

I njohur se “luani liberal” i Senatit, Ted Kenedi ishte një përkrahës i zjarrtë për reformimin e kujdesit shëndetësor, mbrojtës i pagave të punëtorëve dhe i të drejtave të barabarta.

Në muajin gusht, presidenti Barak Obama i akordoi atij Medaljen Presidenciale të Lirisë, nderi më i madh civil në Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2008, senator demokrat Kenedi u diagnostikua me kancer në tru dhe iu nënshrua një operacioni të suksesshëm. Por tumori ishte malinj dhe shëndeti i tij erdhi duke u keqësuar.

Ted Kenedi u zgjodh për here të parë në Senat në vitin 1962, duke zënë vendin e të vëllait Xhon Kenedi, i cili atëherë sapo ishte zgjedhur president. //ii

XS
SM
MD
LG