Lidhje

Në Boston, homazhe pranë trupit të Senatorit Eduard Kenedi


Mijëra amerikanë janë rreshtuar jashtë bibliotekës dhe muzeumit Kenedi në Boston për t'i lënë lamtumirën Senatorit Eduard Kenedi, ligjvënësi me influencë dhe anëtari i fundit i brezit të udhëheqësve politikë të familjes Kenedi.

Për të dytën ditë radhazi, anëtarë të familjes përshëndetën ata që ishin mbledhur në bibliotekën dhe muzeumin që mban emrin e vëllait të Senatorit, presidentit të vrarë, Xhon Kenedi.

Personeli i zyrës së Senatorit llogarit se rreth 25 mijë njerëz kaluan pranë arkivolit të mbuluar me flamurin amerikan të enjten dhe mijëra të tjerë prisnin rreth ndërtesës sot.

Ligjvënësi demokrat vdiq të martën në moshën 77 vjeçare, pas një beteje me kancerin në tru. Ai shërbeu në cilësinë e senatorit për një periudhë pothuajse 47 vjeçare.

Pas përfundimit të homazheve sot, do të zhvillohet një ceremoni private përkujtimore.

Zv/presidenti Xho Bajden, koleg i senatorit Kenedi për një kohë shumë të gjatë në Senat, si dhe ish kandidati presidencial republikan, Xhon Mekein, janë mes personaliteteve që pritet të flasin.

Nesër presidenti Barak Obama do të mbajë fjalën e lamtumirës në meshën e funeralit në Boston, para varrimit të senatorit në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në afërsi të Uashingtonit. //iç//

XS
SM
MD
LG