Presidenti Obama
është zotuar që deri në fund të vitit të dislokojë edhe 17 mijë trupa të tjera
amerikane në Afganistan. Por ndërsa korriku dhe gushti kanë rezultuar muajt më
vdekjeprurës për trupat amerikane që prej fillimit të luftës, anketat e fundit
të opinionit tregojnë se populli amerikan mund të jetë duke u lodhur nga
përpjekjet e luftës në atë vend.
Por anketat e opinionit tregojnë se përpjekjet e luftës nuk janë popullore mes amerikanëve.
Një anketë e fundit e opinionit e
kryer nga rrjeti televiziv ABC dhe gazeta Washington Post, tregon se 51 për
qind e amerikanëve mendojnë se lufta nuk ia vlen, krahasuar me 47 për qind që e
mbështesin atë.
Vetëm 25 për qind e të anketuarve mbështesin idenë e dërgimit të më shumë
trupave në Afganistan.
Kohët e fundit, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, Admirali Mike Mullen, e
pranoi se rezultat e opinionit janë shqetësuese:
“Unë jam veteran i luftës së Vietnamit dhe jam në dijeni të natyrës kritike të
mbështetjes amerikane për këtë luftë, madje për çdo luftë. Pra me siguri që
shifrat janë shqetësuese, por presidenti më ka dhënë mua dhe ushtrisë amerikane
një mision”.
Admirali Mullen thotë se misioni ka për qëllim shkatërrimin e al-Kaidës dhe
të aleatëve të saj, përfshirë edhe talebanët.
Por ky mision shoqërohet me një çmim të lartë.
Korriku dhe gushti kanë qënë muajt më vdekjeprurës për amerikanët që prej fillimit
të luftës. 43 ushtarë amerikanë u vranë në korrik e ndoshta më shumë këtë muaj.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se vdekjet mes civilëve afganë u shtuan me 25 për
qind në 6 mujorin e parë të 2009-tës, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit
të kaluar.
Matthew Duss, pranë qendrës për përparim amerikan, thotë se vendimi i
presidentit Obama për të emëruar Gjeneralin Stanley McCrystal si komandant të
NATO-s në Afganistan tregon se presidenti e kupton se strategjia amerikane
duhet ndryshuar, por ai shton se zoti Obama ka nevojë për rezultate pozitive në
terren.
“Në se nuk bëhet një farë përparimi dhe duket se ne po angazhohemi thellë e më
thellë nënjë operacion anti
kryengritjes pa shenja pozitive për muaj me radhë, mendoj se ai mund të
përballet me një farë opozite reale”. - thotë ai
Lisa Kurtis e Fondacionit Heritage thotë se presidenti Obama do ta ruajë
mbështetjen e publikut nëse ai vazhdon të japë të njëjtin mesazh:
“Ai ka treguar angazhimin e tij dhe duhet ta vazhdojë këtë angazhim, madje të
përsërisë vazhdimisht arsyet e luftës në Afganistan në mënyrë të publiku
amerikan ta kuptojë atë. Në se presidenti e bën këtë, publiku amerikan do ta
mbështesë atë”.
Ndërkohë, Gjenerali McCrystal po përfundon një rishikim të strategjisë për
të vlerësuar burimet e nevojshme për luftën.
Presidenti Obama ka të ngjarë të pranojë rekomandimet, thonë ekspertët,
përfshirë edhe çdo kërkesë për më shumë trupa.//mm//