Lidhje

Vazhdojnë polemikat për reformën në sistemin shëndetësor


Fjalimi i Presidentit Obama për reforma në kujdesin shëndetësor drejtuar Kongresit vë në dukje tensionet brenda qeverisë amerikane dhe në mbarë vendin lidhur me planin e presidentit. Një ligjvënës republikan, madje, thirri në sallë duke e quajtur presidentin gënjeshtar gjatë fjalimit. Presidenti Obama dhe demokratët mbështesin idenë e krijimit të një plani qeveritar për sigurime shëndetësore, që ata thonë se do të ndihmojë për t’i bërë kompanitë private më konkurente dhe më të drejta. Kundërshtarët e propozimit të zotit Obama shprehin shqetësimin se ky plan nënkupton një sistem shëndetësor të kontrolluar nga qeveria. Po ashtu ata vënë në pikëpyetje mundësinë e administratës për të paguar koston e reformave, që ata thonë se do të kushtojë 900 milionë dollarë:

Fjalimi i Presidentit ishte i ngarkuar me emocione:

“U kaloi koha zënkave. U kaloi koha lojërave. Tani ka ardhur koha për veprim.”

Por fjalët e zotit Obama nuk arritën të zhdukin mospajtimet e thella në kryeqytetin amerikan. Ligjvënësi republikan Joe Wilson, bërtiti me zë të lartë gjatë fjalimit:

“Reformat që kam propozuar nuk mbulojnë me sigurime personat pa dokumenta të ligjshme.

Joe Wilson

“Ajo është gënjeshtër.”

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi tha se britma të tilla në mes të fjalimit janë të papara.

“Mbeta e shtangur kur dëgjova një deklaratë të tillë në mes të Dhomës së Përfaqësuesve gjatë fjalimit të Presidentit.”

Ligjvënësi Wilson kërkoi ndjesë për sjelljen. Ligjvënësi më i lartë republikan, Xhon Bejnër, tha se ngacmime të tilla nuk janë për t’u çuditur.

“Mendoj se të gjithë e dimë se çështja e angazhimit të qeverisë në kujdesin shëndetësor zgjon shumë emocione.”

Të nesërmen, pas fjalimit, Presidenti e theksoi mesazhin e tij para popullit amerikan me një fjalim drejtuar punonjësve të sektorit të shëndetësisë.

“Nëse ka mospajtime, t’i zgjidhim por këtë çështje e kemi diskutuar pafundësisht, vit pas viti, dekadë pas dekade dhe po u mbaron koha diskutimeve.”

Plani i Presidentit për reforma do t’u ndalonte kompanive të sigurimeve të drejtën t’i përjashtojnë nga mbulimi shëndetësor individët me probleme të mëparshme shëndeti. Ky plan u kërkon të gjithë amerikanëve të kenë sigurime shëndetësore. Po ashtu, ai dhe demokratë të tjerë mbështesin idenë e një plani qeveritar që do të ndihmonte në nxitjen e konkurencës dhe ndershmërisë nga kompanitë private:

“Më lejoni ta theksoj, pasi kjo çështje është bërë burim thashethemesh se qeveria po komploton të marrë nën kontroll kujdesin shëndetësor. Ky do të ishte vetëm njëri nga shumë opsione. Askush nuk është i detyruar ta zgjedhë.”

Ligjvënësi republikan Kris Smith tha se shqetësohet për amerikanët që mund të paguajnë vetëm opsionin që ofron qeveria, por mund të preken nga kanceri:

“Ekziston mundësia e vonesave në ofrimin e kujdesit shëndetësor, në diagnostikim për të zbuluar nëse ke kancer apo jo, dhe më pas mundësia që të mos ofrohet mjekim për problemin.”

Në diskutime të hapura me publikun kohët e fundit, debati mbi kujdesin shëndetësor shkaktoi skena shumë të nxehta. Amerikanët shqetësohen se reformat në këtë sektor do ta shtojnë deficitin buxhetor të vendit.

“Nuk është vetëm çështja e kujdesit shëndetësor, por edhe si do të mbulohet kostoja e tij? Dhe çfarë efekti ka reforma mbi të gjithë ekonominë amerikane”?

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nensi Pelozi thotë se amerikanët nuk duhet të shqetësohen: “Siç u shpreh presidenti, ai nuk do të nënshkruajë një ligj që shton deficitin. Kongresi nuk do t’i dërgojë atij një ligj që shton deficitin”.

Por republikanët nuk po binden.

Administrata shpreson të bashkojë elementët e moderuar dhe demokratët liberalë për të siguruar miratimin e ligjit në nëntor.//rd//

XS
SM
MD
LG