Drejtori i Bankës Qendrore amerikane thotë se recesioni “ka shumë mundësi të ketë marrë fund”, por paralajmëroi se do të duhet kohë që amerikanët të ndjehen të çliruar.
Kryetari i Rezervës Federale, Ben Bernanke, tha sot se sipas treguesve, ekonomia amerikane ka filluar përsëri të rritet dhe se do të vazhdojë të rritet edhe vitin e ardhshëm. Megjithatë, ai tha se ishte dakord me parashikimet ekonomike, sipas të cilave megjithë rritjen, ekonomia amerikane nuk do të prodhojë shumë vende të reja pune dhe se ritmi i papunësisë do të mbetet i lartë edhe për disa kohë.
Pikëpamja e zotit Bernanke për ekonominë është në kontrast me atë të një tjetër zyrtari të lartë amerikan. Sekretari i Thesarit Timothy Geithner tha sot në një intervistë për televizionin ABC, se administrata nuk do të kënaqet me fundin e recesionit para se të papunët në Amerikë të kenë përsëri mundësinë të punësohen. Zoti Gajtner tha se “Nuk ka ardhur ende momenti kur mund ta themi këtë”.
Ndërkohë, presidenti amerikan Barak Obama paraqiti një plan për një stadard të ri kombëtar i cili vendos rregulla më të forta për vëllimin e gazeve ndotëse që çlirohen në atmosferë dhe për sasinë e karburantit që djegin makinat.
Në komentet e bëra në një uzinë të kompanisë General Motors sot në Ohio, zoti Obama tha se masat do t’i jepnin industrisë amerikane të automjeteve “një qartësi, stabilitet dhe parashikueshmëri që nevojitej prej kohësh.”
Zyrtarët e administratës thanë se standartet e reja kërkojnë që deri në vitin 2016 makinat të arrijnë një efikasitet më të lartë në djegien e karburantit, që sipas përllogaritjeve zyrtare mund ta rrisë koston e një makine 1 mijë e 300 dollarë.
Sonte presidenti shkon në Pensilvani ku do të flasë para sindikatave në Pitsburg.