Lidhje

Presionet buxhetore dhe e ardhmja e fluturimeve në hapësirë


Një komision i ngarkuar nga Kongresi amerikan për të studiuar fluturimet me njerëz në hapësirë tha se Shteteve të Bashkuara do t’i duhet të shpenzojnë 3 miliard dollarë më shumë në vit për të dërguar njerëz në orbitën rreth tokës gjatë dekadës së ardhëshme. Anëtarë të komisionit të caktuar nga Kongresi për studimin e fluturimeve me njerëz në hapësirë thanë se NASA nuk duhet ta ndërpresë dërgimin e anijeve të tipit shuttle në orbitë.

Pas dy vjetësh, anijet shuttle që dërguan astronautë në orbitë gjatë 30 vjetëve të kaluar nuk do të fluturojnë më. Qeveria amerikane, nën presione të mëdha buxhetore ka në plan të mos e vazhdojë më këtë program. Kështuqë eksplorimet e NASA-s me njerëz do të ndërpriten përkohësisht.

Komisioni për Fluturimet me Njerëz në Hapësirë u tha ligjvënësve se do të duhen edhe të paktën 7 vjet të tjerë para se Shtetet e Bashkuara të dërgojnë një tjetër njeri në hapësirë. Norman Augustine është kryetar i këtij komisioni:

"NASA për një kohë tepër të gjatë është përpjekur të arrijë më shumë se sa i ka patur fondet që i janë dhënë. Ne mendojmë se kjo ka çuar në shpenzime të kota dhe ka qenë tepër e rrezikshme kur është fjala për një fushë të tillë si fluturimet me njerëz, e cila nuk të fal."


Augustine, ish shef ekzekutiv i kompanisë aeronautike Lockheed Martin, thotë se NASA ka nevojë për 3 miliard dollarë më tepër në vit për të vazhduar planet e saj.

Stacioni Ndërkombëtar i Hpësirës, ku ndodhen 6 astronautë, varet nga anijet e tipit shuttle dhe nga anijet ruse të hapësirës për furnizimin me njerëz dhe me materiale. Komisioni propozon që stacioni të qendrojë aktiv deri në vitin 2025 ndërsa anijet shuttle të përdoren edhe disa vjet të tjerë.

Augustine u tha ligjvënësve të Kongresit se që një anije të fluturojë një ose dy herë në vit, duhen 2,5 miliard dollarë. Por, thotë ai, këtu ka probleme që lidhen me sigurinë.

Programi i ardhshëm i NASA-s me njerëz quhet The Constellation – Yllësia. Raketat e tipit Ares 1 dhe Ares 5 do t’i dërgojnë astronautët në orbitë dhe pastaj në Hënë. Por e gjitha kjo kërkon kohë, thotë Ed Crawley, anëtar i komisionit për fluturimet në hapësirë.

"Për të ndërtuar një raketë të tillë për njerëz, Ares 1 ose Ares 5 duhen të paktën 5 ose 6 vjet."


Ligjvënësja demokrate Gabrielle Giffords shprehu zhgënjim për raportin e komisionit:

"Në vend që të përqendrohemi te forcimi i programit të tanishëm i hapësirës, ku kemi investuar miliarda dollarë, ne po e zhvendosim vështrimin te programi Yllësia".

"Jo, ne nuk e kemi bërë një rekomandim të tillë, thotë Norman Augustine. Një nga opsionet është të vazhdohet programi i tanishëm por të financohet si duhet. Nëse nuk e financojmë dot, atëhere të mos e bëjmë fare sepse kjo nuk do të ishte e drejtë as për astronautët dhe as për vendin."

Raporti i plotë i komisionit do t’i dërgohet Kongresit nga fundi i këtij muaji. //ii

XS
SM
MD
LG