Lidhje

Kriza e sistemit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara


Sistemi i kujdesit shëndetsor i Shteteve të Bashkuara është cilësuar si më i mirë dhe më i keqi në botë. Shumë ekspertë thonë se ky sistem është me siguri më i shtrenjti, 2,5 trilion dollarë ose rreth 7 mijë deri 8 mijë dollarë për person. Shumica e amerikanëve paguajnë për kujdesin shëndetsor nëpërmjet kompanive private të sigurimit, që subvencionohet pjesërisht nga punëdhënësit e tyre. Amerikanët e moshuar e kanë të garantuar kujdesin shëndetsor nga një trust qeveritar, që më në fund mund të mos ketë më fonde. Rreth 30 milionë amerikanë të tjerë, shumica e tyre konsiderohen punëtorë të varfër, nuk kanë fare sigurime shëndetsore. Në vazhdim do t’ju flasim per disa prej shkaqeve që sistemi i kujdesit shëndetsor në Shtetet e Bashkuara është në krizë.

Si vend, duket se Amerika do që të ketë çdo gjë. Pacientët duan mjekësinë më të mirë, por nuk u pëlqen të paguajnë koston e saj.

“Ne filluam të merrnim faturat e papritura dhe u habita sepse mendonim se ishim të siguruar”.

Mjekët duan të përdorin teknologjinë më të fundit, por thonë se rimbursimet që marrin nga kompanitë e sigurimeve shëndetsore nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet e tyre ose për të qëndruar në biznes.

“Duhet të merren masat përkatëse në mënyrë që mjekët të paguhen”.

Pronarët e bizneseve të vogla thonë se duan t’u garantojnë punonjësve kujdes shëndetsor, por e kanë gjithnjë e më të vështirë të paguajnë pjesën e tyre.

Anketat e opinionit në gjithë vendin tregojnë se shumica e amerikanëve duan përmirësime në sistemin e kujdesit shëndetsor. Presidenti Barak Obama ia ka bërë të qartë Kongresit se ngritja e kostos për dekada me rradhë për një sistem shëndetsor që nuk i trajton të gjithë me të drejtë duhet të marrë fund.

Kostoja e kujdesit shëndetsor ka dëmtuar ekonominë tonë dhe koshiencën e vendit tonë për një kohë të gjatë. Të mos ketë asnjë dyshim: reforma e kujdesit shëndetosr nuk mund të presë, nuk duhet të presë dhe nuk do të presë edhe për një vit tjetër”.

Jonathan Weiner, profesor i politikës së kujdesit shëndetsor në fakultetin e Universitetit Xhons Hopkins për shëndetin publik në Baltimore të shtetit Maryland, thotë se sfida më e madhe për reformën e sistemit shëndetsor është që të gjithë të përfshihen në të ose nëpërmjet sigurimeve private ose të financuar nga qeveria dhe askush të mos përjashtohet për shkak të një sëmundjeje të mëparshme ose të ardhurave të ulëta.

"Për shumë prej 40-50 milion amerikanëve që nuk kanë sigurime shëndetsore, kryesorja është që ata t’i kenë këto sigurime. Këta njerëz marrin një farë kujdesi shëndetsor, por ai është sporadik dhe jo i plotë”.

Zoti Weiner beson se legjislacioni final do të përfshijë klasën e ulët punëtore, që fiton mbi shumën e caktuar për t’u kualifikuar për programin e asistencës qeveritare i njohur si Medicaid. Ai thotë se këta individë do të përfshihen në një lloj programi publik ose plani sigurimesh private.J

“Ky do të ishte një prej ndryshimeve më pozitive në kujdesin shëndetsor, që mendoj se çdo amerikan do të mbetet i kënaqur të shikojë se kompanitë e sigurimeve shëndetsore duhet të pranojnë njerëzit pavarësisht nga sëmundja që vuajnë”.

Zoti Weiner thotë gjithashtu se për një kohë të gjatë sistemi i kujdesit shëndetsor ka paguar në bazë të shkallës së intesitetit të sëmundjes së pacientit dhe shumë pak për parandalimin e sëmundjeve kronike.J

Tani mjekët paguhen gjithnjë e më shumë për analiza të ndryshme që kërkojnë. Sa më i sëmurë që është pacienti aq më shumë paguhen mjekët. Ne duhet ta ndryshojmë gjendjen, në një sistem që shpërblen njerëzit e shëndetshëm”.

Presidenti Obama thotë se planet e tij për kujdesin shëndetsor do të kushtojnë rreth 900 miliardë dollarë gjatë 10 vjetëve të ardhshëm, të financuar pjesërisht nga fonde që ndodhen tashmë në sistemin ekzistues të kujdesit shëndetsor.

Kritikët thonë se sistemi ekzistues nuk është as ekonomik e as efikas, plot me kosto të panevojshme administrative dhe me menaxhim të dobët.Pacientët dhe kompanitë e tyre të sigurimeve, theksojnë kritikët, paguajnë çmime të larta për kujdesin shëndetsor që herë herë nuk është i përshtatshëm si dhe për kujdesin shëndetsor të të tjerëve, që nuk kanë sigurime.

Në fjalimin që mbajti më 9 shtator para të dy dhomave të kongresit amerikan, Presidenti Obama tha se ka kaluar gati një shekull që kur një president tjetër, Theodore Roosevelt, bëri thirrje për herë të parë për reformimin e kujdesit shëndetsor.

“E kuptoj se sa i vështirë ka qënë debati rreth kujdesit shëndetsor. E di se shumë njerëz në vendin tonë janë skeptikë që qeveria po përpiqet të bëjë diçka për ta”.

Mund të kalojnë muaj para se të arrihet një farë konsensusi rreth reformës së kujdesit shëndetsor, madje një konsensus i tillë mund të mos arrihet fare.//lk

XS
SM
MD
LG