Lidhje

Drejtori i CIA-s kërkon përfshirjen e arabo-myslimanëve në agjenci


Drejtori i CIA-s, Leon Paneta, mori pjesë në një iftar gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Agjencia Qendrore e Zbulimit njoftoi këtë vit një plan pesë vjeçar për të rritur kapacitetet lingusitike në gjuhën arabe dhe gjuhë të tjera. Synimi i drejtorit Paneta është të shtojë aftësitë nga 1/3 në së paku gjysmën e agjentëve të zbulimit dhe analistëve që flasin gjuhë të huaja si Dari dhe Pashtu që i përkasin Pakistanit dhe Afganistanit.

“Jam këtu për të kërkuar mbështetjen e komunitetit arab dhe mysliman. Për të parë se ç’mund të bëjmë për ta angazhuar këtë komunitet në CIA.”

Qyteti Dearborn Miçigan është në dalje të Detroitit, ku prodhohen makinat Ford. Është gjithashtu një prej komuniteteve më të mëdha arabe në Amerikë. Më shumë se 30 përqind e popullsisë janë arabë amerikanë, shumica libanezë dhe me prejardhje nga Iraku.

Duke folur para pjesmarrësve, drejtori Paneta tha se CIA ka nevojë për punonjës të besueshëm dhe të efektëshëm për shoqërinë.

“Do të thotë aftësi gjuhësore dhe njohje të thellë të kulturës lokale.”

Ai beson se mbështetja në njohuritë dhe talentin e komuniteteve si ato arabe në qytetin Dearborn është mënyra më e mirë.

“Duhet të jemi pasqyra e këtij vendi dhe e botës.”

Por, rekrutimi në komunitetet arabo-amerikane ka patur probleme. Pas 11 shtatorit shumë prej tyre u ndjenë të etiketuar padrejtësisht si terroristë. Zëri i Amerikës u shtroi pyetjen disa klientëve në një kafe nëse ishte ide e mirë që më shumë arabo-amerikanë të punonin për CIA-n.

“Teorikisht është mirë. Por mendoj se kemi të bëjmë me një komponent besimi. Jo sa u përket amerikanëve por arabëve se si do të përshtaten dhe se si do të trajtohen ata.”

Udhëheqësit e komunitetit thonë se ka patur pakënaqësi me politika si lufta në Irak, akuzat për tortura dhe burgjet e fshehta. Osama Siblani është president i Komitetit Arabo-Amerikan të Veprimit Politik me qendër në Dearborn.

“Kur CIA zbaton politika të tilla, atëherë bëhet çështje dyfish e rrezikshme për njerëzit në komunitet. Si mund të pranosh të punosh për CIA-n kur ajo zbaton praktika dhe rregulla që janë krejtësisht në kundërshtim me ato që duam.”

Por ndjenja patriotike ende mbisundon tek arabo-amerikanë të tjerë në Dearborn. Henri Medina, rekrutues i CIA-s për rajonin thotë se kërkesat për punë në atë rajon janë shtuar gjatë viteve të fundit.

“Është shtuar suksesi i punës këtu në rrugë jo tradicionale si përshembull jashtë panaireve që zhvillohen për vende pune.”

Drejtori Paneta kërkon që të lehtësohen kushtet e pranimit për punonjësit me të afërm në Iran dhe Liban duke mundësuar pranimin e tyre në agjenci. Pjesmarrja e tij u mirëprit. Shumë u ndjenë se ishte një shenjë e pritur prej koshësh që komuniteti arab është një pjesë e pranueshme e Amerikës. //kh//

XS
SM
MD
LG