Lidhje

Gjeneralët amerikanë, dakord për trupa shtesë në Afganistan


Udhëheqësit ushtarakë amerikanë shprehën mbështetjen për vlerësimin e komandantit amerikan dhe të NATO-s në Afganistan se më shumë forca duhen në atë vend.

Kreu i Komandës Qendrore amerikane, gjenerali David Petreas tha dje se si ai, ashtu edhe kreu i shtatmadhorisë Admirali Majk Mallën e mbështesin analizën e gjeneralit Stenli Mekristal.

Në një raport, hollësitë e të cilit dolën në media këtë javë, gjenerali Mekristal thoshte se misioni amerikan në Afganistan ka mundësi të dështojë nëse nuk dërgohen trupa shtesë.

Në një forum në Uashington, Petreas nuk diskutoi hollësitë e planit por tha se lufta kundër ekstremistëve kërkon një strategji të gjithanshme. Ai tha gjithashtu se gjatë javëve në vazhdim janë planifikuar disa takime për të diskutuar rrugën përpara në Afganistan.

Sekretari i Shtypit i Pentagonit Xhef Morrell tha dje se gjenerali Mekristal do t’ia paraqesë kërkesën zyrtare për trupa Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Robert Gejts këtë javë. Por zëdhënësi tha se administrata e zotit Obama nuk do të vendosë për këtë çështje derisa të përfundojë strategjinë e vet të luftës.//kk//

XS
SM
MD
LG