Lidhje

Shqipëria bën thirrje për njohje të mëtejshme të Kosovës


Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha mori dje fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke premtuar se vendi i tij do të jetë i gatshëm të japë kontributin e vet për zgjidhjen e krizave globale. Zoti Berisha foli gjithashtu për perspektivën evropiane të Shqipërisë, si edhe bëri thirrje për njohje të mëtejshme të pavarësisë së Kosovës.

Vetëm pak kohë pas zgjedhjeve dhe formimit të qeverisë së re, kryeministri Sali Berisha, foli për përparësitë e kabinetit të ri.

“Qeveria e re e sapo formuar ka përcaktuar si shtylla kryesore të programit të saj ndërtimin e një infrastrukture të re e moderne për vendin, çuarjen e Shqipërisë në epokën dixhitale, reformimin e sistemit të shëndetësisë, arsimit , luftën me përparësi të madhe kundër varfërisë dhe punësimin e qytetarëve shqiptarë”.

Kryeministri Berisha tha sa në tre vjet rreth 400 mijë shqiptarë kanë dalë nga varfëria, varfëria ekstreme pësoi një ulje prej rreth 70%, si edhe u krijuan dhjetra e mijëra vende te reja pune.

Megjithatë ai e pranoi se Shqipëria i përjetoi pasojat e krizës globale, duke përmendur rënien 10 për qind të eksporteve si edhe rënien e kreditimit. Por zoti Berisha shtoi se gjithsesi prodhimi I brendshëm bruto u rrit me më shumë se 5 % në gjashtë muajt e parë të vitit 2009, të ardhurat shënuan një rritje prej 8% në krahasim me vitin e kaluar dhe investimet e huaja direkte ishin 59% më të larta se viti i kaluar.Kryeministri përsëriti angazhimin e Shqipërisë për të zbatuar të gjitha reformat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

“Ketë vjeshtë ne presim vendime pozitive nga Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian për statusin e kandidatit dhe për shqyrtimin e kërkesës sonë për liberalizimin e vizave”.

Duke iu referuar rëndësisë që sesioni i OKB-së I kushtoi ndryshimeve të klimës, shefi I qeverisë shqiptare, tha se 94% e energjisë elektrike që konsumon Shqipëria vjen nga energjia e rinovueshme.

“Ndonëse jemi të hapur edhe për alternativa të tjera energjie, përfshi atë nukleare, ne po punojmë dhe kemi siguruar rreth pesë miliardë euro investime për parqe të reja të energjisë hidrike, erës dhe biomasës. Shqipëria synon të shndërrohet në një superfuqi të vogël energjitike në rajon”.

Një pjesë të mirë të fjalimit kryeministri Berisha ia kushtoi Kosovës, duke theksuar efektiv pozitiv që ka pasur pavarësia e saj për stabilitetin e rajonit.

"Në këtë vend që ka shpallur pavarësinë rreth 20 muaj më parë, janë ulur ndjeshëm tensionet ndëretnike, serbët nuk po largohen më nga Kosova, po ndodh e kundërta, shumë familje serbe po kthehen në Kosovë, për të ndërtuar aty të ardhmen e tyre. Qeveria ime është e vendosur të ndihmojë dhe asistojë qeverinë e Kosovës në projektet e saj për të lehtësuar kthimin e të larguarve në vend”.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin për 62 vendet që kanë njohur Kosovën dhe për anëtarësimin e saj në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Po shprehu keqardhjen që Kosova nuk ka vendin e merituan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ai bëri thirrje për njohje të tjera.

"Ndaj shfrytëzoj këtë mundësi për t’ju shprehur mirënjohjen time të thellë qeverive të vendeve anëtare të OKB-së, që të vendosin për shqyrtim në axhendën e tyre rishikimin dhe vlerësimin e këtij realiteti ekzistues në rajonin e Evropës Juglindore dhe mundësisë për të njohur pavarësinë e Kosovës. Në gjykimin tim modest, ky do të ishte një kontribut shumë i madh për paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tone”.

Kryeministri Berisha riktheksoi angazhimin e Shqipërisë për paqe dhe stabilitet në botë, si edhe shprehu mbështetjen për reforminin e OKB-së dhe një Këshill Sigurimi më efiçent, me vende të përfaqësuara në bazë të fuqisë së tyre aktuale në botë.

XS
SM
MD
LG