Lidhje

Nju Jorku në 400 vjetorin e themelimit të tij


400 vjet më parë në shtator, Henry Hudson i cili po kërkonte një rrugë detare për në Azi, arriti në atë që tani është porti i Nju Jorkut. Mbërritja e tij festohet si fillimi i vendbanimeve holandeze në Amerikën e Veriut. Pak vite më pas tregtarët holandezë krijuan Amsterdamin e Ri ku tregtonin me indianët gëzofin e kafshëve. Sot ai vendbanim njihet si qyteti i Nju Jorkut.

Qyteti i Nju Jorkut ka një pamje kaq të veçantë sa që është vështirë të imagjinosh se dikur ishte një vendbanim i vogël holandez.

Por në muzeun South Street Seaport të Nju Jorkut, një dokument shekullor dëshmon se holandezët paguan në fakt për këtë tokë.

Martin Berendse, drejtor i Arkivës Kombëtare të Holandës, e përktheu këtë letë shkruar nga një zyrtar holandez në vitin 1624.

“Udhëheqës të plotfuqishëm të Shtetit. Dëgjova se një anije, Amsterdami i Ri, erdhi nga Holanda e re në Amsterdam. Më tregoi kapiteni. Njerëzit janë mirë. Po lindin fëmijë. Vendbanimi po shkon mirë. Blemë ishullin e Manhatanit për 60 gulden. Desha të shtoj se anija kishte sjellë shumë gëzofë.”

Letra është huazuar nga Holanda për 400 vjetorin e Nju Jorkut.

“Letra është dëshmi e krijimit të vendbanimit holandez të quajtur Amsterdami i Ri që tani është qyteti i madh i Nju Jorkut.”

Në ekspozitë përfshihet edhe një hartë e zonës, ku tregohen shtëpitë dhe rrugët e vendbanimit të ri.

Një tjetër stendë tregon sa i vogël ka qënë Manhatani. Kjo ndryshoi pasi erdhën anglezët.
Historiani Barry Lewis thotë se anglezët vazhduan ta zgjerojnë zonën pasi kishin nevojë për territor. Valë të vazhdueshme imigrantësh, shumica nga Evropa, dyndeshin në Manhatan.

“Popullsia në fillim të shekullit të 19 ishte rreth 100 mijë vetë. Nga viti 1875 popullsia e Manhatanit ishte mbi një milion. Nga viti 1910, mbi dy milionë vetë jetonin në ishullin e Manhatanit.”

Toka në Manhatan u bë e shtrenjtë. Në vitin 1883, u ndërtua ura e Brooklinit në mënyrë që njerëzit të blinin tokë më tutje në Long Island ku ishte më lirë.

Pastaj u ndërtua metroja.

“Gjenialiteti i sistemit të metrosë së Nju Jorkut është se për 5 centë mund të shkoje me kilometra të tëra larg nga qendrat e biznesit dhe bëri të mundur që të zhvillohej një tjetër zonë përveç asaj metropolitane. Kështu që kushdo mund të përballonte të blinte të paktën një shtëpi, një apartament në një vend të mirë.”

Por bizneseve u duhej të ishin në Mahnatan. Kështu që ndërtuesit filluan të ngrinin grataçiela.

“Njerëzit kishin frikë se ato do të binin me stuhinë e parë. Dhe ata që kishin prona në ndërtesat komerciale ngjitur me to trembeshin se askush nuk do t’i merrte me qera ndërtesat e tyre për shkak të grataçielave.”

Por ato vazhdonin të shtoheshin. Ndërtesa Woolworth, ndërtesa Chrysler. Empire State. Njëra më e lartë se tjetra.

“Është para, të flasin atë që është. Ky është një qytet i ndërtuar nga spekulatorë të pasurisë së patundshme.”

Por nuk është kjo e vetmja arsye e pamjes që ka Nju Jorku. Harku i Sheshit të Uashingtonit me arkitekturë të Stanford White dhe Muzeu Gugenhaim nga Frank Lloyd janë mes shumë ndërtesave të tjera që zbukurojnë pamjen arkitekturore të Nju Jorkut.

Megjithatë ajo tokë e vogël e shtrenjtë që filloi 400 vjet më parë si pikë tregtare vazhdon sot të jetë e shtrenjtë.

Zona e holandezëve që tregtonin gëzof me indianët është tani Wall Streeti, qendra financiare e botës. //ii

XS
SM
MD
LG