Lidhje

SHBA: Jepen vaksinat e para kundër virusit H1N1


Në Shtetet e Bashkuara po jepen sot vaksinat e para kundër virusit H1N1. Më shumë se 4 mijë njerëz kanë vdekur nga gripi A-H1N1 që prej muajit mars, kur, sipas Organizatës Botërore të Shëndetsisë, virusi u identifikua për herë të parë. Gati 75 për qind e viktimave ishin në Amerikën Veriore e Jugore. Para pak vitesh, zyrtarët e shëndetsisë ishin të shqetësuar se gripi i shpendëve do të ishte epidemia e ardhshme e madhe virale. Por cilat janë ndryshimet mes gripit A-H1N1 dhe gripit të shpendëve?

Virusi H1N1 po përhapet me shpejtësi në hemisferën veriore, ndërkohë që numri i rasteve në hemisferën jugore është pakësuar.

"H" dhe "N" janë dy lloj proteinash, që i përmbajnë viruset e gripeve serioze.
Dan Rutz, zëdhënës i qendrës amerikane për kontrollin e sëmundjeve, thotë se shanset e vdekjes nga gripi A-H1N1 janë më pak se 2 për qind. “Për shumicën e njerëzve duket se është një sëmundje e lehtë”, thotë Rutz.

E lehtë, por mund të shkaktojë edhe vdekjen.

Simptomat e gripit A-H1N1 janë të njëjta me gripin sezonal: kollë, dhimbje fyti dhe temperaturë. Viruset e gripit sezonat ndryshojnë me ngadalë prandaj shumë njerëz zhvillojnë një farë rezistence.

Gratë shtatzanë dhe njerëzit me sëmundje kronike janë veçanërisht të rrezikuara, madje sipas qendrës për kontrollin e sëmundjeve, të paktën 100 njerëz janë shtruar në spital dhe rreth 20 veta kanë vdekur nga gripi A-H1N1.

Ndërsa gripi A-H1N1 përhapet, spitalet kanë bërë plane për të përballuar mundësinë e një numri të madh pacientësh, shumica fëmijë.

Edhe të rinjtë janë në rrezik. Dy vajza adoleshente, një në Meriland dhe tjetra në Teksas, vdiqën kohët e fundit nga virusi H1N1.

Rreziku i vdekjes nga virusi H1N1 nuk është më i madh se nga gripi sezonal. Dan Rutz i qendrës amerikane për kontrollin e sëmundjeve thotë se ndryshimi mes virusit H1N1 dhe virusit sezonal ka të bëjë me imunitetin e njeriut, që nuk është ekspozuar më parë me virusin H1N1 dhe nuk di si të mbrohet ndaj tij.

Megjithëse fillimisht virusi u identifikua si gripi i derrave, nuk duket se ai përhapet nga derrat.

“Kjo është një sëmundje që përhapet mes njerzve dhe nuk ka lidhje me derrat”.

Zoti Rutz thotë se zyrtarët kishin parashikuar për një farë kohe një epidemi gripi, por ata mendonin se ajo do të vinte nga Azia dhe jo Meksika.

“Gripi i shpendëve ka qarkulluar për një kohë të gjatë dhe ne mendonim se virusi mund të ndryshonte në mënyra që do ta bënin më të lehtë përhapjen e virusit tek njerëzit, gjë që mund të bëhej shkak për epideminë e ardhshme. Tani problem është virusi H1N1”.

Shumica e njerzve që u sëmurën nga gripi i shpendëve patën disi kontakte me shpendë të sëmurë.

Që prej vitit 2003 ka pasur rreth 500 raste, por shkalla e vdekjeve është 60 për qind. Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në Azi.

Zyrtarët e shëndetsisë janë të shqetësuar se virusi mund të ndryshonte në një formë që mund të përhapej lehtë mes njerzve. Por qeveritë kanë qënë të gatshme të asgjësojnë në masë shpendët e sëmurë dhe deri tani virusi i gripit të shpendëve nuk ka ndryshuar.

Megjithatë, vaksina është mënyra më e mirë për të parandaluar përhapjen e gripit A-H1N1, por vaksina është e mjaftueshme vetëm për një të gjashtën e popullsisë së botës. Dhe për tani, punonjësit e shëndetsisë shpresojnë që ky virus të mos përhapet shumë prandaj po i kërkojnë publikut të marrë masa parandaluese si kollitja në bryl dhe larja e shpeshtë e duarve.

Organizata Botërore e Shëndetsisë thotë se vaksina e gripit sezonal vitin e ardhshëm do të mbrojë njerëzit edhe nga gripi A-H1N1. //ii

XS
SM
MD
LG