Lidhje

Presidenti Obama fiton Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2009


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, fitoi Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2009, më pak se 9 muaj që kur erdhi në post. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë, Kent Klain na informon se edhe vetë administrata u kap në befasi nga ky lajm.

Zoti Obama tha se kjo ishte surprizë për të dhe i ishte mirënjohës Komisionit norvegjez të Çmimit Nobel të Paqes.

"Do të doja ta bëja të qartë se nuk e shikoj këtë si vlerësim të arritjeve të mia, por si afirmim për udhëheqjen amerikane në emër të aspiratave të popujve në të gjitha vendet".

Zoti Obama filloi detyrën vetëm 12 ditë para një shkurtit që është edhe afati i paraqitjes së propozimeve për këtë çmim. Disa vëzhgues të Nobelit thonë se ky ishte një çmim i parakohëshëm për të, pasi shumë nga përpjekjet diplomatike të zotit Obama kërkojnë ende kohë për të dhënë rezultate.

Presidenti tha se është i vetëdijshëm që çmimi ka qënë i papritur për shumë njerëz.


"Të them të drejtën, nuk mendoj se e mirtoj të jem në shoqërinë e kaq shumë figurave transformuese, që janë nderuar më këtë çmim, burra dhe gra që më kanë frymëzuar mua dhe gjithë botën me përpjekjet e tyre kurajoze në shërbim të paqes. Por nga ana tjetër e kam të qartë se ky çmim pasqyron botën në të cilën këta burra dhe gra, si dhe gjithë amerikanët duan të ndërtojnë".

Kryetari i Komisonit të Çmimit Nobel të Paqes, Thorbjorn Jagland tha se megjithatë, zoti Obama ka tërhequr vemendjen e botës dhe i ka dhënë popujve të saj shpresë për një të ardhme më të mirë.

"Në se i hedh një vështrim historisë së Çmimit Nobel të Paqes, në shumë raste ne janë përpjekur të vënë në pah se çfarë po përpiqn të bëjnë shumë personalitete".

Komisioni i Nobelit vuri veçanërisht në dukje përpjekjet e Presidentit Obama për të përmirësuar marrëdhëniet me myslimanët në botë dhe për një botë pa armë bërthamore. Kryetari Jagland vlerësoi gjithashtu zotin Obama se ka "krijuar një klimë të re në politikën ndërkombëtare", duke i vënë theksin diplomacisë shumëpalëshe.

"Diplomacia e tij është e rrënjosur në konceptin se ata që udhëheqin botën duhet ta bëjnë këtë duke u mbështetur në vlerat dhe qendrimet e shumicës së popullatës së botës".

Komisionet e Nobelit kanë zgjedhur vitet e fundit disa fitues që kanë kundërshtuar politikën e jashtëme unilaterale të paraardhësit të zotit Obama, ish presidentit George W. Bush.

Vendimi i komisionit të Nobelit, nuk u ka bërë ndonjë përshtypje të veçantë kundërshtarëve të tij në politikën e brendëshme amerikane. Michael Steele, kryetar i Komitetit Kombëtar Republikan, tha se "është për të ardhur keq që aftësia e presidentit për të shkëlqyer ka lënë në hije mbrojtësit e palodhur të paqes që kanë arritur rezultate reale për paqen dhe të drejtat e njeriut". Presidenti Obama njohu gjithashtu meritën e shumë njerëzve nëpër botë që punojnë për paqen.

"Ky çmim nuk është thjesht për përpjekjet e administratës time. Ai është për përpjekjet kurajoze të popujve në gjithë botën. Prandaj ky çmim duhet të ndahet me këdo që përpiqet për drejtësi dhe dinjitet".

Presidenti Obama ishte mes 205 kandidatëve, numër rekord ky, për Çmimin Nobel të Paqes këtë vit. Ai është presidenti i tretë amerikan në detyrë që merr Nobelin dhe i pari që kur këtë çmim e mori Woodrow Wilsoni në vitin 1919.

Ende nuk ka ndonjë njoftim nëse Presidenti Obama do të shkojë në Oslo për të marrë çmimin dhe se çfarë do të bëjë ai me shumën prej mbi një milionë dollarësh që jepet këtë çmim. //iç//

XS
SM
MD
LG