Lidhje

Strategjia amerikane në Afganistan



Ndërsa administrata Obama shqyrton strategjinë e Amerikës në Afganistan, disa ekspertë thonë se al-Kaida, kryesisht në Pakistanin fqinj, është dobësuar ndjeshëm. Strategjia e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve aleate për t’iu kundërvënë al-Kaidës ishte temë diskutimi gjatë një senace kohët e fundit në Kongresin amerikan.

Shtetet e Bashkuara ndërhynë ushtarakisht në Afganistan pak pas sulmeve terrosite të 11 shtatorit 2001, duke vënë në shënjestër talebanët, që kishin strehuar Osama bin Ladenin dhe organizatën e tij. Strategjia e fundit ushtarake amerikane në Afganistan përqendrohej në mposhtjen e kryengritjes talebane në rritje. Ndërsa forcat amerikane dhe ato të NATO-s vazhdojnë të sulmohen në Afganistan, gjendja e al-Kaidës matanë kufirit ka tërhequr më pak vëmëndje. Në Senatin amerikan këtë javë, ligjvënësit dëgjuan mendimet e 3 ekspertëve, të cilët thonë se vitet e fundit al-Kaida është dobësuar si rezultat i përpjekjeve kundër terrorizmit. Robert Grenier ka punuar për CIA-n.

“Në se shikojmë Amerikën Veriore, ose Evropën, apo pjesën më të madhe të Afrikës Veriore dhe Gadishullit Arabik, Azinë Juglindore, ne mund të arrijmë në përfundimin se al-Kaida ka pësuar humbje të mëdha”.

Peter Bergen, bashkë-drejtor i Fondacionit Amerika e Re, dhe Mark Sageman i institutit kërkimor të politikës së jashtme, u bënë jehonë këtyre komenteve.

“Kundër terrorizmi po funksionon. Nuk ka pasur viktima në Shtetet e Bashkuara gjatë 8 vjetëve të fundit e as në perëndim gjatë 4 vjetëve të fundit”.

Por kryetari i komisionit, John Kerry, thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë vigjëlente.

“Ne nuk mund ta interpretojmë mungesën e një sulmi në tokën tonë me mungesën e një kërcënimi”.

Me dobësimin e al-Kaidës, disa zyrtarë amerikanë thonë se kthimi në pushtet i Talibanëve në Afganistan nuk është aq serioz sa më parë. Madje disa zyrtarë po argumentojnë për mos shtimin e trupave amerikane në Afganistan, si ka kërkuar krye-komandanti amerikan, Stanley McChrystal. Gjenerali McChrystal ka thënë se do jo vetëm që të mposhtë Talibanët, por edhe të sjellë qëndrueshmërinë në Afganistan. Marc Sageman është kundër shtimit të ndjeshëm të trupave. Ai thotë se marrëdhëniet mes Talibanëve dhe al-Kaidës janë të tendosura dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla edhe nëse Talibanët marrin kontrollin e pjesës më të madhe të Afganistanit.

“Shtimi i trupave amerikane nuk është aspak i nevojshëm dhe ka fare pak vlerë ushtarake në operacionet kundër terrorizmit, por nga ana tjetër është shumë i kushtueshëm për sa i përket viktimave dhe me më pak mundësi për të pasur sukses”.

Zoti Grenier argumenton se forca ushtarake është e nevojshme sepse nëse talebanët rimarrin nën kontroll pjesë të Afganistanit, ajo mund të ofrojë përsëri streha të sigurta për al-Kaidën.

“Është mbrojtja e al-Kaidës aq e rëndësishme sa të justifikohen përpjekjet dhe humbjet që mund të përjetojmë ne nëse përballemi me këto streha të sigurta? Pa e ditur medoemos koston, mendoj se përgjigja e kësaj pyetjeje është Po”.

Gjenerali McChrystal ka kërkuar një strategji që do të mbronte civilët afganë. Por analisti Grenier thotë se përpjekjet për të fituar mbështetje mund të mos funksionojnë.

“Ndërsa shumë udhëheqës lokalë e fisnorë në Afganistan do të donin të mbështesnin trupat e NATO-s në këmbim për vetëmbrojtje, dhe do të donin të kishin burimet e disponueshme nga amerikanët dhe qeveria e tyre, ata kanë frikë ta bëjnë këtë, thjeshtë sepse kanë frikë nga Talibanët”.

Të tre analistët në diskutim ishin të një mendimi se përpjekjet për të zbuluar e bllokuar fondet janë shumë të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit.

XS
SM
MD
LG