Lidhje

Protesta e parë e opozitës për zgjedhjet e 28 qershorit



Në Shqipëri opozita shqiptare nisi sot pasdite një manifestim në Tiranë për të protestuar ndaj deformimit të rëndë sipas saj të zgjedhjeve të 28 qershorit. Opozita e udhehequr nga partia socialiste e zotit Edi Rama, ka vendosur të mos marrë pjesë në parlament dhe manifestimi i sotëm ishte një përshkallëzim i qëndrimit të saj politik për të kërkuar hapjen e kutive të votimit.

Protesta e opozitës, e para e saj pas vendimit për të bojkotuar parlamentin deri në plotësimin e kërkesave të saj për hapjen e kutive të votimit si dhe ndëshkimin e përgjegjësve të cilës sipas Partisë Socialiste kanë deformuar vullnetin e shqiptarëve në zgjedhjet e 28 qershorit zgjati pak më shumë se 60 minuta. Në tribunën e ngritur në sheshin para selisë së qeverisë shqiptare u ngjitën drejtues të partive të majta por edhe përfaqësues të shoqatave por edhe njerëz të thjeshtë.

Mitingu u mbyll me fjalën e drejtuesit të Partisë Socialiste zotit Edi Rama, një fjalë e cila nisi me deklarimin e hapur se kjo do të jetë protesta e parë, protestë që nuk mbaron tha zoti Rama pa fituar të drejtën që të shohim votën tonë. Ky ishte edhe lajkmotivi i pjesës së partë të fjalimit të zotit Rama ku theksoi se në se kryeministri Sali Berisha do të mbajë forcërisht të mbyllur në burgun e kutive të votimit vendimin e shumicës së popullit, u shpreh ai, atëherë socialistët do të mbajnë pambarimisht valën e protestës së popullit në të gjithë Shqipërinë.

Në pjesën e dytë të fjalimit zoti Rama iu kushtua si rallëherë akuzave të hapura ndaj kryeministrit Sali Berisha për korrupsion. Ai përmendi këtu lidhjet familjare apo faktin që sipas zotit Rama familja e zotit Berisha po pasurohet në kurrizin e pasurive të shqiptarëve.

Sipas tij, një seri koncesionesh dhe një seri hidrocentralesh të dhëna me koncesion kanë kaluar të gjitha nga firma ligjore e vajzës së kryeministrit Berisha. Ai e akuzoi kryeministrin edhe për trysni të drejtëpërdrejtë mbi sistemin gjyqësor duke përmendur këtu faktin e pushimit të çështjes ndaj ministrit të mjedisit dhe ish ministrit të mbrojtes Fatmir Mediu. i vënë nën akuzë për shpërthimin e Gërdecit. Zoti Rama tha se sipas tij kryeministri Berisha e përfshiu zotin Mediu në kabinet vetëm duke blerë heshtjen e tij që ai të mos tregonte për lidhjet sipas zotit Rama në tragjedinë e Gërdecit kanë edhe familjarë të kryeministrit. Në fund të fjalës së tij zoti Rama përsëriti se Partia Socialiste do të hapë një sezon protestash në të gjithë Shqipërinë për plotësimin e kërkesave pasi kjo tha ai është një betejë për dinjitetin e shqiptarëve, është një betejë për një nga të drejtat themelore të njeriut, lirinë e votës.

Qëndrimi i deritanishëm i shumicës në pushtet dhe kryeministrit Berisha ka qënë refuzues ndaj kërkesës së opozitës për hapjen e kutive të votimit. Zoti Berisha i është referuar këtu vendimit të gjykatës të Kolegjit Zgjedhor sipas të cilit nuk pranoi kërkesën e PS për hapjen e kutive të votimit dhe sipas tij kjo e bën të pamundur një komision i cili të dilte mbi gjyqësorin dhe këshilla e zotit Berisha për opozitën ka qenë që pretendimet e saj ti çojë në prokurori, një ide e konsideruar e papranueshme nga opozita e cila sot paraqiti edhe një projektligj për mënyrat sesi ajo mendon të ngrihet komisioni i posaçëm parlamentar për hetimin e zgjedhjeve. Ndoshta ky moment mund të jetë edhe një shkas që opozita të hyjë në parlament përkohësisht vetëm sa për të bërë betimin pasi nuk e ka kryer as këtë akt të rëndësishëm për një deputet në mënyrë që atij ti njihet mandati.//rd//

XS
SM
MD
LG