Në Maunt Kisko të Nju Jorkut, dy vëllezër të ardhur dekada më parë nga Hoti i Malësisë së Mbishkodrës janë bërë simbole të bamirësisë dhe shembuj të ruajtjes së patriotizmit shqiptar.
Gjatë disa dekadave dhe me punë të palodhur, Lekë dhe Pashko Gojçaj ngritën në
Amerikë një biznes të suksesshëm imobiliar. Leka e kujton kështu ardhjen në
Amerikë para 39 vjetësh.
"Pasurinë më të madhe kisha
nënën me vete. Jo se kam qenë punëtor i madh, jo se kam patur edukatë për
biznes, por kemi punuar me djersë të ballit, na kanë ndihmuar miq e dashamirë.
Kjo ishte meritë e të gjithëve, e Zotit mbi të gjitha, e vëllait tim Pashkut, i
cili është punëtor i vërtetë, natë e ditë nuk lodhet." - thotë ai
Leka dëshironte të fitonte sa
më shpejt që pastaj të kthehej në vendlindje. Por kjo nuk ndodhi. Amerika, ky
vend i mundësive të pafund, i tërhoqi.Sot, familja
është rritur, ka 19 anëtarë.
E pazakonta është se të gjithë jetojnë së bashku në një shtëpi të madhe
në Maunt Kisko të Nju Jorkut.
Familja shquhet për nderimin e veçantë që ka për Nënë Terezën.
Në shtëpinë e Gojçave gjen një koleksion të tërë kushtuar bamirëses së
famshme – skulptura, piktura, fotografi, libra.
Këtë nderim, vëllezërit e kanë shprehur me disa shtatore të Nënë
Terezës që ata kanë dhuruar.
"Më 18 tetor 1997 kemi
ngritur shtatoren e parë, besohet që është edhe e para në botë, në një kishë të
Tuzit. Më 2000, ngritëm tjetrën këtu në Kishën Zoja e Shkodrës, më 2002 e
ngritëm në Prishtinë. Më 2003 ndihmuan kishën e Detroitit me një shtatore. Ia
kemi borxh krejt popullit shqiptar, aq më tepër unë si person. Çfarë njeh rruzulli tokësor 300 vjet
civilizim, unë besoj se nuk ka patur një njeri më të madh. Është një dhuratë që
edhe këtu në tokë por edhe në qiell kemi rekord, si shenjtore apo edhe si e
gjakut tonë."
Nënë Tereza është një institucion, po ashtu siç janë institucion Kombet
e Bashkuara, thotë Leka.
Vëllezërit po përpiqen tani të vendosin një shtatore të Nënë Terezës në
Kombet e Bashkuara. Nuk është e lehtë sepse OKB-ja nuk pranon dhurata nga
persona të veçantë por nga shtete.
Vëllezërit do t'ja dhurojnë shtatoren shtetit shqiptar i cili pastaj
duhet të interesohet që ajo t'i kalojë OKB-së. Përpjekjet deri tani nuk kanë
patur sukses. Por Leka thotë se ata nuk tërhiqen.
"Unë mendoj se gjithçka do të
jetë e mundur, pse jo. Do kohë, duhen takuar njerëzit që vërtet janë të
ndërgjegjshëm për një gjë të madhe. Mendoj se i takon."
Shtëpia e madhe në Maunt Kisko rrethohet nga një tokë prej 16 hektarësh.
Kjo shtëpi ku janë rritur shumë fëmijë i ngjan një muzeumi të vërtetë për
shqiptarët dhe traditat e tyre.
Në shtëpi nuk mungon as flamuri amerikan.
Leka kujton se dikur një gazetar amerikan e pyeti se përse e mban këtë
flamur.
"Ky flamuri juaj na ka
shpëtuar, kështu që patjetër e mbaj gjithmonë,"u përgjigj Leka.
Në vitin 1999, një agjente imobiliare erdhi në këtë shtëpi për të parë
mundësinë që ajo të blihej nga Presidenti Bill Klinton. Leka i tha agjentes se
presidenti mund të propozonte çmimin që dëshironte, ai ishte gati t'ja jepte me
atë çmim.
"Më morën në telefon dhe më
thanë se ishin duke kërkuar shtëpinë që mendonin se do të ishte ideale për
Presidentin Klinton. A na pranon? I thashë se ishin të mirseardhur. I thashë:
Për aq sa ka bërë Klintoni për Kosovën dhe për shqiptarët në përgjithësi, kjo
shtëpi nuk ka çmim, ta marrë me çmimin që atij i pëlqen. I thashë se për mua
dhe familjen time kjo do të ishte sikur të na kishte rënë llotaria. Më tha:
mendon se mund ta marrë për 10 milion dollarë? Nuk më intereson, ia ktheva, veç
ta marrë, sado që të japë."
Ish presidenti bleu një shtëpi më të vogël, në Çapakua, jo larg vendit
ku jetojnë vëllezërit Gojçaj.
"Jam i kënaqur që agjencia
erdhi dhe e pa shtëpinë për të. I kemi borxh shumë Klintonit, Amerikës."
Shtëpia me 30 dhoma strehon një familje plot vitalitet. Një familje
tradicionale shqiptare por që, sipas Lekës, nuk i sfidon aspak zakonet e jetës
moderne.
"Të gjithë janë të lirë për
të dalë sipas dëshirës, të gjithëve u kemi dhënë oferta për të blerë shtëpi ku
të duan. Por ata thonë: duam ta kryejmë shkollën prej kësaj shtëpie, pas
shkollës thonë: duam të martohemi prej kësaj shtëpie. Nuk i kemi pasë të tëra
ditët honeymoon, kemi parë dhe sakfrifica por të gjitha, falë Zotit, i kemi
përballuar."//mm//