Lidhje

Propozim për shtimin e fondeve amerikane kundër ngrohjes globale


Disa senatorë amerikanë po bëjnë thirrje për veprime të përbashkëta mes republikanëve dhe demokratëve në Kongres për ndryshimet klimatike, para Konferencës së Kombeve të Bashkuara për këtë problem që mbahet në dhjetor në Kopenhagë të Danimarkës.Dje një nënkomision i Senatit për marrëdhëniet me jashtë shqyrtoi çështjen se si Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera të zhvilluara duhet të ndihmojnë vendet e varfëra që janë më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike.

Senatori demokrat, Xhon Keri dhe Senatori republikan, Lindsi Germ, po bashkëpunojnë për miratimin e një ligji të gjithanshëm për ndryshimet klimatike. Në një artikull në gazetën New York Times, ata thonë se nuk mund ta pranojnë që Shtetet e Bashkuara të mos jenë në gjendje të udhëheqin botën në këtë çështje.

Senati ka planifikuar disa seanca debatesh për ndryshimet klimatike në fund të këtij muaji. Në debatin e zhvilluar dje në një komison të Senatit, ekspertët i bënë thirrje Kongresit të shtojë ndjeshëm fondet për vendet më të varfëra të botës që janë gjithashtu edhe më të rrezikuarat nga ndryshimet klimatike, përfshirë vendet afrikane si Bangladeshi dhe Haiti.

Ekspertët thonë se Sudani ishte shembull i një thatësire të tmershme dhe Bangladeshi i kërcënimit nga përmbytjet për shkak të ngritjes së nivelit të detit, të dy këto raste si rezultat i ndryshimeve klimatike. I përndershmi, Xhim Boll, drejtor i Fushatës Klimatike për Rrjetin Evangjelist të Mjedisit thotë se shumica e të krishterëve evangjelistë në Shtetet e Bashkuara mbështesin masa të forta.

"Ndryshimet klimatike janë një faktor natyral përkeqësimi. Ato i bëjnë përmbytjet më të mëdha, uraganet më të forta dhe thatësirën më të theksuar. Bota nuk ka nevojë për më shumë viktima nga fatkeqësitë natyrore”.

Piter O'Driskoll, drejtor ekzekutiv i Action Aid USA, një agjenci botërore kundër varfërisë, thotë se ka lajmeve të mira ashtu siç ka edhe lajmeve të këqia për ndryshimet klimatike.

"Lajmi i mirë është se qeveria e Shteteve të Bashkuara është tani plotësisht e angazhuar në këtë çështje. Lajmi i keq është se ndikimi i ndryshimeve klimatike është ndjerë në uljen e rendimentit të prodhimit, në programet për zhdukjen e varfësirë dhe sistemet e përgjigjes ndaj emergjencave në vendet në zhvillim”.

Zoti O'Driskoll thotë se ata që ndjejnë pasojat më të rënda të ndryshimeve klimatike nuk kanë bërë ndonjë gjë për të kontribuar në to.

"Ndoshta ironia më e hidhur është se ata që janë prekur më shumë janë më pak përgjegjës për çlirimin e gazit serë që ka sjellë ngrohjen globale”.

O'Driskoll thotë se gratë, si pjesëtaret më të varfëra të shoqërisë, janë të prekura më rëndë nga ndryshimet klimatike dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet ndërkohë që kërkohen zgjedhje.

Ai përmendi dy bujkesha, Joyce Tembenu nga Malawi dhe Asya Begum nga Bangladeshi, të cilat janë prekur drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike dhe me vështirësi mbajnë familjet.

Ai thotë se diskutimet në Senat janë tejet të rëndësishme për popujt e gjithë botës dhe se fondet për programe bujqësore për t’iu përshtatur kushteve të ngrohjes globale janë urgjentisht të nevojshme. Gjenerali në pension i Forcave Ajrore, Çarls Uald, ish zv/komandant i Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara, thotë se ndryshimet klimatike janë bërë edhe një çështje e sigurimit kombëtar, sepse kanë sjellë konkurencën për burime të kufizuara dhe mund të shkaktojë një valë të re refugjatësh.

"Ne po rekomandojmë që ushtria e Shteteve të Bashkuara të fillojë t’i vërë ndryshimet klimatike në planin e saj të sigurimit kombëtar dhe Amerika të demostrojë rol udhëheqës në botë. Nga udhëtimet e mia nëpër botë kam parë qartë se është vështirë të ndodhë ndonjë gjë e madhe në botë pa udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe bota po lutet për këtë”.

Zoti Uald thotë se gjatë shërbimit të tij aktiv në ushtri u angazhua në programet e zhvillimit për Afrikën dhe studimet në atë kohë konfirmuan se për çdo dollar të shpenzuar për parandalimin e fatkeqësive, u kursyen 10 dollarë në programet e reagimit ndaj tyre. Ai argumentoi se duhet zbatuar i njejti parim tani për të ndihmuar vendet më të varfëra të botës të jenë të përgatitura për ndryshimet klimatike.

Disa nga masat që diskutuan anëtarët e komisionit ishte ndërtimi i barierave mbrojtëse në vendet e rrezikuara nga përmbytjet, krijimi i kopshteve lundrues në vende të tjera, apo kultivimi i drithërave që i rrezistojnë thatësirës në vendet ku mungojnë rreshjet.

XS
SM
MD
LG