Lidhje

Izraeli hedh poshtë rezolutën që mbështet raportin Goldstone


Izraeli hodhi poshtë rezolutën e miratuar javën e kaluar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, e cila mbështeste një raport që akuzonte shtetin hebraik për krime lufte gjatë konfliktit në Rripin e Gazës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Robert Berger njofton nga Jeruzalemi.

Kabineti izraelit hodhi poshtë me zemërim rezolutën e OKB-së duke thënë se sulmi tre-javor i ushtrisë në Rripin e Gazës në dhjetor dhe janar të vitit të kaluar ishin vetëmbrojtje e ligjshme.

“Izraeli do ta mbrojë veten me çdo kusht,” tha ministri Josi Peled. “Kjo është detyrë dhe e drejtë.”

Raporti Goldstone, i miratuar nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut të premten akuzon Izraelin për krime lufte gjatë konfliktit në Gazë. Por kabineti tha se Izraeli po i përgjigjej disa viteve sulme me raketa nga palestinezët në Gazë, të cilët sundohen nga grupi militant islamik Hamas. Raporti e akuzon edhe Hamasin për krime lufte, por ndërkombëtarët janë përqendruar kryesisht tek veprimet e Izraelit, të cilat vranë të paktën një mijë e 100 civilë, shumë prej tyre civilë.

Ministri Juval Shtajnic e akuzoi komunitetin ndërkombëtar se po përdor një standart të dyfishtë.

Shtainic tha se kjo ishte një rezolutë anti-semite në të cilët e drejta e vetëmbrojtjes lejohet për Shtetet e Bashkuara në Afganistan dhe për Rusinë në Çeçeni, por i mohohet Izraelit kur bëhet fjalë për Rripin e Gazës.

Raporti Goldstone do t’i kalojë tani Këshillit të Sigurimit të OKB-së i cili mund ta referojë atë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës.

Shtajnic paralajmëroi se nëse palestinezët vazhdojnë t’i kundërvihen Izraelit në çdo forum ndërkombëtar, kjo do të dëmtonte procesin e paqes.

XS
SM
MD
LG