Lidhje

Një tragjedi dhe mbrojtja e dëshmitarëve në Shtetet e Bashkuara


Në tetor 2006, një ngjarje e rëndë rrënoi jetën e zonjës Danielle Steele Brown – burri i saj u vra. Më pas, u vra edhe dëshmitari më i rëndësishëm i çështjes. Zonja Brown ka tre vjet që pret për gjyqin e vrasjes së burrit të saj dhe jeton me frikë.

Ata kishin vetëm dy muaj të martuar, kishin filluar një jetë të re së bashku. Dhe kompozuan këtë këngë për dashurinë e tyre. Ai ishte producenti i suksesshëm i muzikës, Raymond Brown, i njohur me emrin Scotty Beats. Ata mezi prisnin të ngrinin një familje së bashku.

Por një natë, një grup të rinjsh u përpoqën të vjedhin makinën e Reymond-it pranë shtëpisë së tij në shtetin Merilend. Ai u përpoq t’i ndalë por ata e vranë.

"Nuk e kuptova mirë nëse e kishin qëlluar por pastaj pashë vrimën e plumbit në bluzën e tij dhe u trondita. Ai më kishte ngulur vështrimin dhe belbëzoi disa fjalë. “Kthehu në shtëpi,” më tha. “Jo, nuk mund të të le këtu”
.

Ndërkohë që burrin po e hiqnin nga vendi i ngjarjes, zonja Brown u drejtua për në polici bashkë me pjestarë të tjerë të familjes.

"Atje më pyetën, pastaj në një qese të vogël plastike më dhanë unazat që mbante ai. Mes tyre ishte edhe unaza e martesës të cilën unë e ende e kam në gisht".

Për këtë vrasje u bënë arrestime por gjyqi është shtyrë. Me afrimin e gjyqit, një prej dëshmitarëve më të rëndësishëm u vra. Thuhet se eliminimi i dëshitarit u organizua nga personi që vrau Reymond-in. Gregory Lattimer është avokati i zonjës Danielle Brown.

"Kur ke një dëshmitar të rëndësishëm, dhe ai ishte i rëndësishëm, i cili vritet ndërkohë që çështja hetohet, kjo është katastrofike sepse e vë prokurorin në pozitën që duhet ta nisë çdo gjë nga fillimi. Për çështjen në fjalë pati madje mendime që ndjekja të mos vazhdonte më".


Rastet e frikësimit dhe vrasjes së dëshmitarëve ndodhin me një rregull alarmues në zonën e Uashingtonit, sipas autoriteteve federale dhe lokale. Ekziston një program i mirë për mbrojtjen e dëshmitarëve por shumica e vrasjeve nuk mbulohen prej tij. Që nga fillimi i vitit të kaluar, në rrugët e Uashingtonit janë vrarë të paktën tre dëshmitarë.

Ndërkohë në distriktin Prince George, njeriu i akuzuar për vrasjen e Reymond-it dhe vëllai i tij janë akuzuar për vrasjen në bashkëpunim të dëshmitarit të çështjes. Por në Merilend ka një ligj sipas të cilit nëse i akuzuari bën që dësmitari të mos paraqitet dot në gjyq, dëshmia e tij përsëri mund të përdoret. Ja ç’thotë prokurori i distrktit Prince George, Glenn Ivey.

"Qëllimi është që të dekurajohet frikësimi i dëshmitarëve sepse sido që të ndodhë, dëshmia e tyre do të paraqitet në gjyq".

Në Amerikë ka patur shumë kritika për qeveritë e shteteve dhe ato lokale se nuk interesohen shumë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Por zoti Ivey thotë se nuk është kështu për vrasjen në fjalë. Sipas tij, dëshmitari i vrarë ishte sistemuar diku tjetër nga autoritetet por ishte kthyer përsëri në lagjen e vjetër.

"Dëshmitari duhet të qendrojë larg atyre që duan ta vrasin. Të mos kujtojë se këta njerëz kanë ndryshuar mendim. Të mos mendojë se tani çdo gjë është në rregull. Ai duhet të rrijë larg tyre".

Dikur gjërat ishin ndryshe, thotë Lattimer, i cili shton se sot prokurorët dhe policët, në vend që të krijojnë besim, shpesh i kërcënojnë dëshmitarët.

"Prokuroria dhe policia sot i thotë dëshmitarit: “e di që ti heziton apo ke frikë. Por nëse nuk bashkëpunon me ne, atëhere ne do t’u themi të gjithëve se ti je dëshmitar dhe ke folur me ne, kështu do të jesh akoma më i zbuluar”.

Ivey dhe Lattimer mendojnë se në komunitetet e prekura nga dhuna ekziston një mentalitet që i urren njerëzit të cilët shkojnë e rrëfehen në polici. Kjo, së bashku me dyshimet e përhapura ndaj policisë e bën më të vështirë zgjidhjen e krimeve.

"Duhet të kemi kujdes dhe të mos i trajtojmë njerëzit sikur janë të gjithë të mirë ose të gjithë të këqinj por të përpiqemi të gjejmë se cilët janë ata që bëjnë krime. Le të vemë pikërisht këta njerëz në shënjestër dhe t’i trajtojmë qytetarët si partnerë".


Danielle Brown thotë se lajmëroi policinë kur po i vidhnin makinën. Operatori i tha se nuk mund të dërgonte menjëherë policin pastaj pyeti nëse ajo i kishte paguar në rregull këstet e kredisë së makinës. Daniela shpjegon se megjithë programin e ri për mbrojtjen e dëshmitarëve, ajo vazhdon të jetojë me frikë.

"Nuk e di nëse do të ndihem ndonjëherë e sigurt. Burri im vdiq në krahët e mij dhe nuk e di nëse do të gjej ndonjëherë qetësi pas kësaj".

Raymond Brown u vra thuajse tre vjet më parë. Gjyqi për vrasjen e tij është planifikuar për në mars 2010. //iç//

XS
SM
MD
LG