Lidhje

Kosovë: Ish presidenti amerikan Bill Klinton sot në Prishtinë


Ish presidenti amerikan Bill Klinton pritet të qëndrojë sot në Kosovë për të marrë pjesë në përurimin e shtatores së ngritur në sheshin që mban emrin në tij, në Prishtinë. Shtatorja e derdhur në bronz, vepër e skulptorit Izeir Mustafa, është tre metra e lartë dhe peshon rreth 900 kilogram. Shtatorja e cila është vendosur javë më parë, nuk ishte përuruar, në pritje të vizitës së ish presidentit Klinton, i cili në Kosovë çmohet si njeriu më meritor për lirinë e vendit.

Autoritetet thanë se vizita është me rëndësi historike dhe u bënë thirrje qytetarëve për një pritje sa më të ngrohtë për mysafirin e lartë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, në një porosi drejtuar qytetarëve të vendit, theksoi se presidenti Clinton, është njeriu i cili i priu angazhimit më të madh humanitar të botës moderne për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja fizike. Në mesazh thuhet e Republika e Kosovës do t’u jetë përherë mirënjohëse Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Klinton. Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të presidentit Klinton për lirinë e Kosovës, demokracinë, paqen e qëndrueshmërinë në rajon.

Gjatë vizitës së sotme presidenti Klinton do të takojë udhëheqësit më të lartë të vendit dhe do të flasë në Parlamentin e Kosovës.

Presidenti i 42-të i Shteteve të Bashkuara Bill Clinton, sot viziton për te tretën herë Kosovën gjatë këtyre dhjete viteve të pasluftës. Herën e parë ai qëndroi në Kosovë në nëntor të vitit 1999 ndërsa ishte ende president dhe mbajti një fjalim në Ferizaj, me ç’rast bëri thirrje për tejkalimin e së kaluarës dhe ndërtimin e paqes në vend.

Në korrik të vitit 2003, në vizitën e tij të dytë në Kosovë, presidenti Klinton u nderua me çmimin Doktor nderi i Universitetit të Prishtinës. //bsa//

XS
SM
MD
LG