Lidhje

Arratisjet nga Gjermania Lindore  përmes tuneleve nën  Murin e Berlinit


Në muajt e parë pas ngritjes së Murit të Berlinit më 13 gusht 1961, rreth 600 gjermano-lindorë u arratisën nga Lindja nëpërmjet kanaleve dhe sistemit të metrosë, por në fund të vitit 1961, forcat kufitare të Gjermanisë Lindore e kishin mbylluar krejtësisht kufirin. Atëhere njerëzit filloan të gërmonin rrugën e tyre drejt lirisë.

Hasso Herschel gërmoi një tunel nën Murin e Berlinit që ndante qytetin për të ndihmuar të motrën të largohej nga Gjermania Lindore. Brenda një dekade ai ndihmoi të iknin nga rregjimi komunist 300 vetë. Herschel e ndërtoi tunelin e parë në shtator të vitit 1962, rreth një vit pas ngritjes së Murit të Berlinit. Hyrja e tij ishte e fshehur në një shtëpi në anën lindore të kufirit, pikërisht përballë murit.

Motra e tij, Anita Moeller, kujton se si ajo sëbashku me të shoqin dhe fëmijën shkuan në bodrumin e shtëpisë së ndodhur në Schoenholzer Strasse dhe pastaj hynë në gropën e hapur në dysheme për të ikur. Fillimisht ajo ishte e tronditur nga ngushtica e tunelit, por shumë shpejt vendosi të nisej se nuk kishte kohë për të patur frikë.

"E bëra gati dhe tërhoqa dy metra drejt kësaj hyrjeje, ku shkisje drejt e në bodrum. Pastaj nuk e pashë për rreth dy orë. Ajo duhet të priste këtu në anën perëndimore".

Zonja Moeller thotë se në fillim e pati të vështirë të besonte se ishte e lirë.

"Por pastaj, kur dola jashtë, takova një grua të re që iku para nesh sëbashku me të shoqin dhe fëmijën e vogël. Ajo ishte ulur në një stol... dhe dalngadalë... u bindëm... se kishim shpëtuar".

29 njerëz u arratisën nga tuneli i shtëpisë në Schoenholzer Strasse, një nga dalejet më të sukseshme nga Berlini Lindor në atë kohë.

Herschel, i cili ishte arratisur në Gjermaninë Perëndimore me një pasaprotë fallso në vitin 1961, gërmoi disa tunele në tokën e butë ranore nën murin që ndante qytetin, disa prej tyre me duart e tij. Nga vitet 60-të deri në vitet 70-të, ai ndihmoi disa dhjetra njerëz të kalonin nga Lindja në Perëndim, nëpërmjet tuneleve sekrete.

Gjethsej rreth 300 vetë arritën të iknin nëpërmejt tuneleve nën Mur, disa prej të cilëve fare të ngushtë, sa të shkiste një trup njeriu, ndërsa disa të tjerë të lartë sa për të ecur në këmbë. Iu desh atyre që i gërmonin ato nga tri ditë në 6 muaj për t'i përfunduar ato që u ndërtuan nga tetori i vitit 1961 deri në prill 1982.

Sot, rreth 20 vjet pas shembjen së Murit të Berlinit, bunkerët e Luftës së Ftohtë dhe sistemi i tuneleve janë bërë një nga objektet më tërheqëse turistike si për të huajt ashtu edhe vendasit. Por ato janë njëkohësisht një kujtim rënqethës i periudhës më të tensionuar dhe më të dhunshme të qytetit në shekullin e 20-të.

Arratisja nga Gjermania Lindore ishte e rrezikshme. Rojet e kufirit kishin marrë urdhër të vrisnin në vend ata që tentonin të largoheshin. Por kjo e bënte Hasso Herschel-in edhe më këmbëngulës për të shpëtuar nga tirania komunsite bashkëatdhetarët e tij.

"Kjo është gjëja më e mirë që kam bërë në jetë. Sepse isha 100 përqind i sigurt se po bëja atë që duhej. Dhe pas çdo arratisjeje të sukseshme vinin përqafimet".

Studjuesit llogaritin se 136 vetë u vranë gjatë tentativës për të kapërcyer murin dhe nga 700 në 800 vetë u zhdukën gjatë përpjekjeve për të kaluar kufirin prej 1378 kilometrash që ndante Gjermaninë Lindore me atë Perëndimore. Por nuk dihet me saktësi se sa njerëz u vranë në tentativat për të ikur nëpërmjet sistemit të tuneleve. Shpesh tunelet zbuloheshin nga rojet e kufirit apo Stasi, policia sekrete e Gjermanisë Lindore, para se të përdoreshin. Të tjerë shembeshin aksidentalisht, përmbytur nga uji ose bllokoheshin nga shkarja e dheut.

Nga 71 tunele të ndërtuara nën mur, vetëm 20 përqind rezultuan të sukseshme. Shumica e tuneleve gërmohehsin nga Perëndimi në Lindje, shpesh nga ata njerëz që ishin aratisuar nga Gjermania Lindore dhe përpiqeshin pastaj të nxirrnin prej andej edhe pjesën tjetër të familjes.

XS
SM
MD
LG