Lidhje

Masakra në Fort Hud, reagon komuniteti mysliman


Zyrtarët ushtarakë amerikanë po përpiqen të përcaktojnë se çfarë e shtyu personin e armatosur në një bazë ushtarake të Teksasit të vriste 13 vetë të enjten. Personi që thuhet se kreu vrasjet, Major Nidal Hasan, është psikiatër që punon për ushtrinë.

Vazhdojnë hetimet për të gjetur shkaqet e kësaj ngjarjeje, mjaft tronditëse për shumë amerikanë. Dhe, pa dyshim njerëzit pyesin veten se ç’farë e bëri atë njeri të hapte zjarr e të vriste 13 vetë duke plagosur 30 të tjerë.

"Kjo ishte një goditje jo vetëm për bazën Fort Hood por edhe për të gjithë këmbësorinë tonë,” thotë gjeneral George Casey shef i shtabit të këmbësorisë.

Personi i dyshuar, Major Nidal Hasan, është psikiatër i këmbësorisë i cili punonte për problemet mendore të ushtarëve.

Ja ç’thotë kongresmeni i Teksasit, Michael McCaul:

"Duket se ai ishte shumë i pakënaqur me luftën në Irak dhe Afghanistan, gjë që ia kishte shprehur edhe shumë kolegëve."


Zoti McCaul thotë se para se të shkonte në Fort Hood, Nidal Hasan punonte në Qendrën Mjeksore të ushtrisë, Walter Reed në Uashington, ku vlerësimi për punën e tij ishte i dobët. Nidal Hasan është i lindur në Shtetet e Bashkuara dhe me origjinë palestineze.

Kur banonte në zonën e Uashingtonit ai falej rregullisht në Qendrën e Komunitetit Mysliman. Arshad Kureshi është drejtor i kësaj qendre:

"Ai ishte një mysliman që i respektonte ritet, në kuptimin që vinte për t’u lutur."

Në Qendrën e Komunitetit Mysliman në Silver Spring të shtetit Maryland Nidal Hasan u njoh me Dr. Asif Qadri, i cili punon për klinikën e kësaj qendre.

"Më la përshtypjen se ishte një person i ndershëm dhe i sjellshëm. Nuk tingëllonte baspak si njeri i izoluar nga shoqëria apo i frustruar. Përkundrazi, dukej shumë i lumtur dhe i këndshëm."

Dr. Qadri thotë se Nidal Hasan ishte njeri i balancuar dhe i gjendshëm, ishte krenar që punonte për ushtrinë. Ai shqetësohej për reagimet, si ato që provuan myslimano-amerikanët pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara.

"Unë jam mysliman, ai është mysliman dhe sa herë që ndodh ndonjë gjë e tillë reagime të tilla përsëriten. Duket sikur ky shqetësim nuk na shqitet nga koka.”


Nawar Shora i komitetit amerikano-arab kundër diskriminimit, thotë se reagime të tilla kanë filluar tashmë në Internet:

"Nuk besoj që Majori Hasan të ketë patur lidhje me al-Qaida-n. Por për fat të keq reagimet më të shumta në internet duket se janë shumë emocionale, me shprehje të tilla si “Vritini të gjithë”, “Ky është një akt lufte”. Dhe pikërisht kjo është për t’u shqetësuar sepse mund të fillojë të marrë marrë përmasa të mëdha."

Presidenti Obama i ka kërkuar vendit të mos arrijë në përfundime të nxituara rreth motivit të vrasjeve. Hetuesit federalë vazhdojnë të mbledhin prova për të gjertur shkaqet e masakrës. //ii

XS
SM
MD
LG