Besimi i konsumatorëve amerikanë ka rënë, ndërsa shifra të reja tregojnë se ekonomia po mëkëmbet.
Ekspertë qeveritarë dhe privatë kanë publikuar sot një seri raportesh me rezultate të ndryshme për gjendjen e ekonomisë amerikane, ndërkohë që besimi i konsumatorëve ka rënë dhe shifra të tjera që tregojnë se ekonomia po mëkëmbet.
Një anketë me konsumatorët amerikanë tregon se pritshmëria e tyre për ekonominë ra në nëntor ndërsa ata janë të shqetësuar për papunësinë që është në nivelin më të lartë në 26 vite.
Rënia e besueshmërisë së konsumatorëve mund të dëmtojë mëkëmbjen duke ulur shpenzimet e konsumatorëve që janë motori i shumicës së aktivitetit të ekonomisë amerikane.
Një raport tjetër i qeverisë sjell më shumë sinjale se ekonomia po mëkëmbet ndërsa kërkesa për naftën e importuar dhe mallrat e prodhuara jashtë u rrit në shtator, duke e zgjeruar më tej defiçitin tregëtar.
Hendeku mes atyre që amerikanët shesin jashtë vendit dhe atyre që blejnë nga vendet e tjera u rrit më shumë se 18 përqind duke arritur një shifër të përgjithshme mujore prej 36 presje 5 miliardë dollarë.
Kërkesa për mallra amerikane u rrit gjithashtu por u rrit në një nivel më të ulët ndërkohë që ekonomitë e tjera filluan të lehtësojnë efektet e recesionit.
Shumë vende evropiane dalin nga recesioniNë Evropë, shumë ekonomi kanë dalë nga recesioni më i rëndë në dekada, pas më shumë se një viti rënieje ekonomike.
Në korrik, gusht dhe shtator, 16 vendet e zonës së Euros kanë pasur një rritje prej 0.4 për qind, pas një tkurrjeje gjatë pesë tremujorëve të mëparshëm.
Sipas raportit të agjencisë evropiane të statistikave, Eurostat që nxorri të dhënat, rritja e Gjermanisë ishte më e lartë sesa mesatarja e Bashkimit Evropian, ndërsa e Francës pak më ulët.
Megjithatë papunësia në Evropë është ende në nivelin më të lartë që prej 20 vjetëve. //kk//