Lidhje

Kosovë: Shënohet viktima e parë e virusit  AH1N1


Në Kosovë, autoritetet konfirmuan sot viktimën e parë të virusit AH1N1 i njohur si gripi i derrit. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, thanë se një i ri i lindur në vitin 1978 nga Kosova qendrore ka ndërruar jetë sot në mëngjes ne Klinikën Infektive në Prishtinë ku ishte shtruar dy ditë më parë me simptoma të gripit të derrit. Ata thanë se pacienti kishte edhe probleme të tjera shëndetësore.

Deri tash në Kosovë janë konfirmuar 32 raste të infektimit me këtë virus, ndërsa edhe dhjetar raste janë duke u trajtuar si të dyshuara.

Autoritetet thanë sot se janë duke u zbatuar të gjitha masat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe nuk ka arsye për panik tek qytetarët.

Vaksinat e para kundër këtij gripi, të zotuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë priten në fillim të muajit dhjetor, ndërsa autoritetet thonë se ka sasi të mjaftueshme të barërave për trajtimin e të infektuarve.

Në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë tashmë është ndërprerë mësimi në shkolla dhe po zbatohet vendimi i ministrisë serbe të Shëndetësisë, e cila para dy ditësh shpalli epideminë e gripit në Serbi ku janë regjistruar qindra raste të të infektuarve.//mm//


XS
SM
MD
LG