Lidhje

Rumania zhvillon sot zgjedhjet presidenciale


Rumunët votojnë sot në zgjedhjet presidenciale ndërkohë që anketat opinionit publik tregojnë se presidenti Trajan Basesku dhe rivali i tij kryesor i krahut të majtë gëzojnë të njëjtën mbështetje. Komuniteti ndërkombëtar shpreson se votimet e sotme do të zgjidhin krizën qeveritare që ka paralizuar Rumaninë, e cila po ndeshet me një krizë të madhe ekonomike.

Zgjedhjet presidenciale të ditës së sotme në Rumani do të monitorohen nga afër prej Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimit Evropian. Të dyja këto organizata kanë shtyrë dhënien e një pakete ndihmash prej 30 miljardë dollarësh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar pas krizës qeveritare në vend që muajin e kaluar çoi në rënien e qeverisë së majtë nga pushteti.

Social demokratët dolën nga koalicioni qeveritar për të protestuar kundër shkarkimit të ministrit të tyre të brendshëm dhe për komentet për manipulime të mundshme në zgjedhje. Këto komente u panë si akuza se partia Liberal Demokrate në pushtet mund të manipulonte zgjedhjet në përpjekje për të rizgjedhur presidentin aktual, 58 vjeçarin Trajan Basesku.

Fondi Monetar Ndërkombëtar shpreson që pas zgjedhjeve, presidenti do të emërojë kryeministrin e ri për tu marrë me reformat e thella ekonomike, që kritikët thonë se qeveria i ka injoruar që nga rënia e komunizmit më 1989.

Rumania ka nevojë urgjente për ndihmat ndërkombëtare për të paguar pagat e sektorit shtetëror dhe pensionet në një kohë kur ekonomia e vendit këtë vit pritet të ketë tkurrje deri në 8 përqind.

Presidenti Basesku, ish kapiten anijesh, dëshiron të rizgjidhet në mënyrë që siç thotë ai të “drejtojë anijen rumune” në këtë stuhi ekonomike.

Duke folur në një debat televiziv mbi zgjedhjet që u zhvillua të premten, zoti Basesku tha se ai e meriton edhe një mandat tjetër 5 vjeçar sepse ai do të vërtetojë gatishmërinë e tij për të luftuar për më shumë drejtësi dhe për të luftuar korrupsionin që ka minuar ekonominë e vendit.

Ai gjithashtu tha se dëshiron të pakësojë numrin e ligjvënësve, duke thënë se një parlament prej 471 anëtarësh është shumë i shtrenjtë dhe madje votimi i së dielës do të jetë një referendum për këtë çështje.

Anketat e fundit të opinionit publik i japin një të tretën e votave zotit Basesku, një përparësi e vogël ndaj rivalit të tij kryesor Mircea Geoana.

51 vjeçari Geoana, ish ministër i jashtëm i cili udhëheq të majtën Social Demokrate, u prit me duartrokitje në debatin e të premtes, pasi tha se ai ka një plan të zgjidhë krizën ekonomike në Rumani.

Zoti Geoana e bëri të qartë se edhe nëse ai nuk zgjidhet president, ai shpreson që plani i tij ekonomik të zbatohet. Ky plan përfshin dhënien e kredive me interes të ulët ndërmarrjeve për të ndihmuar në krijimin e vendeve të reja të punës dhe gjithashtu krijimin e mundësive për blerjen e shtëpive për të rinjtë.

Organizatat ndërkombëtare e kanë bërë të qartë megjithatë se kushdo që fiton zgjedhjet e sotme duhet të marrë masa të forta për të krijuar një rritje ekonomike afatgjatë.

Mes tyre është plani i mbështetur nga Fondi Monetar Ndërkombëtar që parashikon nxjerrjen nga puna të 150 mijë punëtorëve të sektorit publik nga 1,3 milionë që janë sot, ngrirjen e rrogave shtetërore dhe shkurtimin e pensioneve.

Reth 1,000 monitorues ndërkombëtarë do të vëzhgojnë votimet e ditës së sotme. Një raund balotazhi pritet të mbahet më 6 dhjetor pasi nuk ka të ngjarë që ndonjeri prej kandidatëve të fitojë 50 përqind të votave në raundin e parë të zgjedhjeve.

XS
SM
MD
LG