Lidhje

Dielli, uji, era burime alternative energjie të pastër


Vendet e botës janë duke konsideruarmënyra nga më të ndryshmet për të përballuar ndryshimet klimatike dhe për të siguruar energji të pastër nga dielli, era, uji, apo burime të tjera. Qëllimi është të realizohet synimi për të patur, të paktën 20% energji të ripërtërithsme deri në vitin 2020. Në serinë e përjavëshme "Prirjet e Gjelbra", kolegia Isabela Çoçoli na sjell hollësi për masat që po merr Kalifornia për modifikimin e ndërtesave qeveritare për të funksionuar me energji të ripërtëritshme, për turbinat me erë në Skoci dhe instalimet e gjelbra në një fshat në verilindje të Kinës.

Shteti me diell i Kalifornisë është vënë në krye të nismave për të reduktuar ndikimin e Amerikës tek mjedisi. Guvernatori i Kalifornisë Arnold Schwarzenegger ka kritikuar qeverinë amerikane për apatinë që ka treguar në çështjet e mjedisit dhe është zotuar ta çojë vetë përpara Kaliforninë.

Santa Monica është qyteti i parë i Kalifornisë që ka vendosur t'i modifikojë 95% të ndërtesave qeveritare që të punojnë me burime të ripërtëritshme energjie.

80% e automjeteve të qyetet punojnë me gaz natyror ose me karburant hidrogjeni, ndërsa uji që derdhet nga impiantet e vaditjes dhe larja e makinave filtrohet për t'u përdorur përsëri për vaditje dhe për sifonët e banjave.

Mbi 300 kryetarë bashkish në Amerikë kanë ndjekur të njejtën praktikë, duke nënshkruar një marrëveshje për të ulur çlirimin e gazit karbonik në qytetet e tyre me 7%, që është ovjektimi i caktuar për Shtetet e Bashkuara nga Protokolli i Kjotos.

****

Një fermë me turbina ere në Skoci është më e madhja e këtij lloji në Evropë. Ajo ka 42 turbina që gjenerojnë energji të mjaftueshme elektrike për 55 mijë shtëpi.

Kjo fermë është një prej shumë komplekseve të tilla që zotëron kompania skoceze e energjisë elektrike që mbështet dhe promovon përdorimin e burimeve alternative të energjisë për të plotësuar standardin e Britanisë së Madhe për energji të ripërtëritshme.

Turbinat monitorohen dhe kontrollohen nga një sistem i avancuar kompjuterik që përcakton drejtimin e erës dhe përshtat këndin e elikave të turbinave.

Këto turbina ere gjenerojnë një sasi të madhe energjie dhe po bëhen opcion i fuqishëm për të siguruar në të ardhmen energji elektrike miqësore për mjedisin.

****

Një fshat i largët në provincën verilindore të Kinës, Liaoning, po vendos një stil jetese duke ndjekur praktika miqësore për mjedisin.

Çdo shtëpi është e pajisur me ujë të rrjdhshëm, të pastër dhe me panele diellore në çati, ndërsa muret dhe vetë çatia janë të ndërtuara me blloqe të presuara balte të përzjerë me kashtë.

I gjithë fshati është i lidhur me një uzinë qendrore gazifikimi mbetjesh bimore që prodhon pajisje për ngrohje dhe gatim me gaz metan, ndryshe nga zjarri tradicional i djegijes së drurëve që po pakësoheshin vazhdimisht në pyjet përreth.

Fshati i ri krijon një standard më të mirë jetese për fermerët, nga ai me të cilin ata janë mësuar, dhe në të njejtën kohë ndjek praktika miqësore për mjedisin që do ta rujanë zonën për shumë breza me radhë. //iç//

XS
SM
MD
LG