Lidhje

Shkencëtarët amerikanë përpiqen për mbrojtjen e vijave bregdetare


Çdo vit rritja e nivelit të detit merr rreth dy metra breg përgjatë Gjirit Chesapeake në bregdetin të Shteteve të Bashkuara. Ka patur shumë përpjekje për të kontrolluar humbjet e tokës gjatë viteve por rezultatet kanë qënë të ndryshme. Tani një përqasje e re ka shtuar shpresat e shkencëtarëve.

Ky plazh duket i pastër dhe mikëpritës. Por deri një muaj më parë, këtu s’kishte asgjë. Gjithëçka është bërë nga njerëzit dhe aty strehohen të gjitha krijesat e gjalla në zone, përfshi këtë karkalec.

“Atyre u pëlqejnë zonat kënetore dhe janë ushqim i preferuar për peshqit e tjerë. Është një specie që shtohet në mjedise të restaurura kënetore”.

Jana Davis është drejtoreshë dhe shkencëtare me Trustin Chesapeake Bay, një organizatë jo-fitimprurëse që financon projektet për restaurimin e gjirit. Ajo përfaqëson një nga më shumë se 12 organizata të përfshira në këtë projekt.

“Ky projekt është një shembull i mirë i përdorimit formave natyrore si dhe masave tradicionale siç i shikoni këtu për të mbrojtur bregun nga erosioni”.

Ekipi ndërton brigje me gurë dhe plazhe për të thyer forcën e erërave, duke mbrojtur ujrat e ulta dhe duke mbjellë barëra për të krijuar një habitat mikëpritës. Kjo buzë uji është pjesë e strehës për gjënë e gjallë në pjesën e sipërme të Gjirit Chesapeake rreth 300 kilometra nga oqeani. Susanne Beard është menaxhere për kompleksin.

“Kjo është një pjesë e rëndësishme e strehimit të botës shtazore pasi ngushtica që mbron gjirin Hail krijon vendbanim për shumë lloje peshqish dhe kafshësh që jetojnë në zonë”.

Qindra zogj emigrojnë këtu çdo vit nga veriu për t’i shpëtuar dimrit të forte, ku gjejnë ujë dhe ushqim për të mbijetuar. Por erozioni po e kërcënon zonën. Dave Sutherland është drejtues i programit në Shërbimin për peshqit dhe botën shtazore për gjirin Chesapeake. “Erozioni është nga 1 presje 52 në 2 presje 13 metra në vit", thotë ai.

Sutherland shpjegon se ndërsa erozioni ka qënë gjithmon një process natyror, ndryshimet klimatike dhe alternimi i vendbanimeve e ka keqësuar problemin dhe gjiri Chesapeake kërkon tani programe urgjente restaurimi.

"Me ngrohjen globale ky process mund të mos jetë natyror. Megjithëse rritja e nivelit të ujrave ka qënë e vazhdueshme gjatë viteve, tani ajo është shtuar më shumë dhe duam ta zgjidhim këtë problem kritik me projektet që po zbatojmë tani".

Programet e restaurimit dhe të mbrojtjes përfshijnë aktivitete edukimi. Ky bar është mbjellë nga nxënësit e klasave fillore.

“Ishte një ditë me erë, një ditë e ftohtë por fëmijët ishin të përkushtuar. Ata mësuan të mbjellin barin dhe bëjnë një punë të shkëlqyer".

Sutherland thotë se ujrat e cekta japin një produktivitet të lartë për shumë specie të peshkut dhe gafores. Projekti përfshin gjithashtu programe për restaurimin e gocave të detit.

Jo shumë kohë më pare, mbrojtja e brigjeve përfshinte teknika të vjetra si shtrirja e gurëve përgjat bregut dhe ndërtimi i pritave për të shmangur përmbytjet. Por ndërsa këto metoda mbrojnë zonën, asnjë nuk lë vend për të shtuar vlerat e vendbanimeve për botën shtazore.

Davis thotë se është shpejt të mësohet në se eksperimentet do të funksionojnë në një periudhë afatgjatë por zonat e restauruara po tregojnë tashmë rezultate pozitive. //iç//

XS
SM
MD
LG