Lidhje

SHBA përshëndesin hapin izraelit, bëjnë thirrje për negociata


Qeveria izraelite ka miratur një pezullim të kufizuar të punimeve për ngritjen e vendbanimeve të reja, në një masë që Kryeministri Benjamin Netanyahu e ka cilësuar si përpjekje drejt rifillimit të bisedimeve të paqes me palestinezët. Pezullimi parashikon një moratorium 10-mujor në lëshimin e lejeve të reja për ndërtim në vendbanimet izraelite të Bregut të pushtuar Perëndimor.

Projektet izraelite të ndërtimit në Bregun Perëndimor të cilët tashmë kanë filluar nuk përfshihen në këtë pezullim. Ndërsa ndërtimet në Jeruzalemin Lindor nuk figurojnë aty aspak. Por i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme George Mitchell shprehu vlerësime, ndonëse me rezerva për njoftimin:

“Në moratoriumin e sapo-njoftuar nga qeveria e Izraelit, nuk do të fillohen ndërtime të reja për një periudhë 10 mujore. Asnjë ndërtim i ri. Nuk do të jepen leje ndërtimi për projekte gjatë këtij moratoriumi 10 mujor. Asnjë qeveri izraelite nuk ka marrë ndonjëherë një hap të tillë dhe asgjë e ngjashme nuk është realizuar gjatë administratës së Presidentit Bush.”

I dërguari amerikan tha në komentet për shtyp se Shtetet e Bashkuara kanë të njëjtat shqetësime si vendet arabe për përmasat e kufizuara të gjestit izraelit. Por ai përmendi një deklaratë të Sekretares së Shtetit Hillari Klinton se njoftimi izraelit ndihmon për të ecur përpara drejt një zgjidhjeje të konfliktit dhe se mënyra për arritjen e kësaj janë bisedimet e vullnetit të mirë.

“Askush nuk arrin të sigurojë të gjitha ato që kërkon në negociata për zgjidhjen e një konflikti të tillë. Duhet që të gjitha palët të tregojnë vullnet dhe të ofrojnë më shumë se u pëlqen të ofrojnë dhe të pranojnë më pak se u pëlqen të pranojnë. Ky parim duhet të ndiqet nga të gjithë në negociata. Kjo kërkon kohë, durim dhe udhëheqje të guximshme.”

Ish-udhëheqësi i shumicës në Senat tha se do të kthehet në rajon në të ardhmen e afërt, ndërkohë që administrata Obama vazhdon trysninë ndaj palestinezëve për të përmirësuar shanset për paqe, duke rritur sigurinë dhe duke penguar aktet anti-izraelite. Ai tha se nuk ndjehet i dekurajuar nga problemet e fundit. Ai përmendi shembullin e përpjekjeve të suksesshme për paqe në Irlandën e Veriut në vitet ’90.

“Në terma konkrete, patëm 700 ditë dështimesh dhe një ditë suksesi. E kam të qartë se procesi i paqes në Lindjen e Mesme është më i vështirë dhe më kompleks. Por pavarësisht se ku zhvillohet konflikti apo ku bazohet, nëse palët janë seriozisht të angazhuara për paqe, nuk mund të dorëzohesh me ‘Jo-në’ e parë apo të dytë, apo edhe të 100-tën.”

Administrata e Presidentit Obama ka theksuar se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbeten të angazhuara për një zgjidhje me ekzistencën e 2 shteteve në Lindjen e Mesme, me krijimin e një shteti funksional palestinez, që të ekzistojë pranë një Izraeli të sigurtë. //ad//

XS
SM
MD
LG