Lidhje

Filmi ‘Precious - një histori nga Harlemi


Filmi i ri i regjisorit Lee Daniels ‘Precious’ bazohet në romanin e suksesshëm “Push” nga autorja afrikano-amerikane Saphire. Ashtu si libri, edhe filmi shtjellon historinë e një vajze 16-vjeçare e cila jeton në lagjen Harlem të Nju Jorkut, dikur të prekur rëndë nga varfëria dhe krimet. Precious kapërcen problemet e abuzimit emocional nga familja dhe arrin ta marrë jetën e saj nën kontroll.

Në jetën e adoleshentes Precious nuk ndriçon asnjë rreze shprese. Ajo përmbush të gjitha kërkesat e nënës, pa marrë një fjalë të mirë prej saj. Precious përjashtohet nga shkolla, pasi mbetet shtatzënë nga i ati. Por vajza nuk dorëzohet. Ajo regjistrohet në një shkollë alternative.

Dialogu në film është shumë i kufizuar. Të gjitha ato që nuk shprehen me fjalë komunikohen përmes gjesteve, sjelljes dhe shikimeve. Filmi është realizuar me ngjyra të zymta, depresive. Skenat rrallë herë kanë një objekt me ngjyrë të ndezur: një triko të kuqe, një varëse ngjyrë gur-kali, një shall portokalli. Të gjitha këto për të nënkuptuar një dritë shprese.

Vetëm fantazimet e vajzës, ku zhytet në momentet më të errëta të jetës, janë me ngjyra të ndezura.

Ky është i pari rol kinematografik, që ka luajtur aktorja Gabi Sidibe, e cila interpreton personazhin Precious. Por që tani emri i saj është përmendur si kandidaturë e mundshme për çmim Oscar. Interpretimi i saj është sa i sinqertë aq edhe tronditës.

Por aktorja që duket se ka shanset më të mira për kandidim është Mo’nique. Ajo interpreton Mary-n, nënën e adoleshentes, një grua pa ndërgjegje.

Këngëtarja Mariah Carey thuajse nuk njihet dot në film. Këtë radhë ajo nuk shfaqet në pamjen e zakonshme të yllit të muzikës por në rolin e zonjës Weiss, një grua e thjeshtë dhe serioze, punonjësve e shërbimeve sociale.

Filmi është i pamëshirshëm dhe nuk bën kompromise. Ai është pritur edhe me kritika që thonë se filmi i portretizon me ngjyrime negative afrikano-amerikanët. Por regjisori Lee Daniels thotë për Zërin e Amerikës se subjekti i kapërcen dallimet racore:

“Secili nga ne është në një ngjyrë të caktuar. Ne jemi njerëz me ngjyrë. Kemi atletë, kemi në mes tonë trafikantë droge, mjekë, vrasës. Ne jemi thjesht njerëz. Këto janë probleme të jetës.”

Filmi "Precious" kapërcen realitetin ku ka jetuar. Ajo mëson të lexojë e të shkruajë, sfidon familjen e saj dhe ballafaqohet me të kaluarën e saj e heshtur, por e fuqishme.

“Nëse largohesh nga salla e kinemasë me një ndjenjë keqardhjeje për Precious, atëherë nuk ke arritur ta kuptosh filmin. Dua që njerëzit të ndjehen të frymëzuar nga kjo histori."

"Precious" është një film psikologjik dhe emocional që tregon sa ngadhënjyes është shpirti njerëzor. Njëkohësisht i dhimbshëm dhe frymëzues, është e pamundur që spektatori të largohet i paprekur nga ky film. //ii

XS
SM
MD
LG