Zyrtarët rusë thonë se shpërthimi i një bombe nxori nga shinat mbrëmë një tren ekspres udhëtarësh, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 26 vetëve dhe plagosjen e mbi 50 të tjerëve.
Hetuesit rusë thanë sot se kishin gjetur elementë të një pajisjeje shpërthyese në vendin e ngjarjes pranë qytetit Ballagoje, rreth 400 kilometra në veriperëndim të Moskës.
Sipas prokurorëve, kanë filluar hetimet, të cilat mund të çojnë në ngritjen e akuzave për terrorizëm, por ata nuk identifikuan ndonjë person të dyshuar.
Treni luksoz Nevski Express i shpejtësisë së lartë, po udhëtonte nga Moska për në Shën Peterburg kur doli nga shinat. Një krater i vogël u gjet në vendin e ngjarjes. Nga shpërthimi u dëmtua edhe një pjesë hekurudhe.
Ekipet e shpëtimit po kërkojnë në vendin e ngjarjes për gjetjen e 18 personave që rezultojnë të zhdukur. Ata thonë se bilanci përfundimtar i tragjedisë pritet të jetë më i madh.