Lidhje

Gjiri Çesapik, një thesar natyror kombëtar i Shteteve të Bashkuara


Në fillim të këtij viti, Presidenti Barak Obama dha një urdhër ekzekutiv për mbrojtjen dhe rigjenerimin e Gjirit Çesapik, një grykëderdhje e veçantë në bregdetin e Atlantikut afër kryeqytetit amerikan Uashington. Në përgjigje, qeveria federale po harton një plan për të parandaluar ndotjen në këtë ekosistem kompleks.

Ky gji është një thesar kombëtar. Ai u formua para 15 mijë vjetësh, kur një akullnajë gjigande shkriu dhe përmbyti një luginë të vjetër lumi. Sot në këtë grykëderdhje bashkohet lumi Potomac me 150 lumenj, përrenj e rrëke drejt derdhjes në Oqeanin Atlantik.

Nga kjo pikë grumbullimi, uji kalon nëpër 6 shtete si dhe në kryeqytetin Uashington, duke qënë burim ushqyes për tokën dhe speciet e ujit. Kjo grykëderdhje është gjithashtu burim uji të pijshëm, ushqimi si dhe zonë zbavitëse për rreth 17 milion njerëz.

Por gjendja në grykëderdhjen më të madhe të Amerikës është e keqe, siç thuhet në raportin vjetor të programit Gjiri Chesapeake, një partneritet federalo-shtetëror. Drejtori i programit, Xhefri Lejp, thotë se kjo gjendje e varfër pasqyrohet në cilësinë e ujit dhe të faunës së zonës.

“Nga pikpamja e ekosistemit, ne kemi 13 matje. Ne i kemi bashkuar ato në një ideks prej 100 pikësh. Gjiri Çesapik vlerësohet me 38 pikë për sa i përket restaurimit”.

Kjo gjendje është krijuar si pasojë e zhvillimit industrial, rritjes së popullsisë dhe kimikateve nga fermat. Lëndët ushqyese vërshojnë në gji, duke krijuar alge, të cilat dekompozohen dhe thithin oksigjenin në ujë.

Beth Mekgi, eksperte e ujit në fondacionin e Gjirit Çesapik, thotë se sasia e madhe e lëndëve ushquese, kryesisht nitrogjeni dhe fosfori, i marin jetën Gjirit.

“Gjatë dekadave të fundit, ne kemi përjetuar zona të vdekura gjatë stinës së verës, sipërfaqe të mëdha të Gjirit Chesapeake të pa populluara nga speciet e detit”.

Xhon Friman ka përjetuar këto ndryshime të mëdha gjatë jetës së tij. Për 66 vjet, ai është marë me kapjen dhe tregëtinë e gaforreve afër shtëpisë së tij në qytetin Newport News të Virginias, ashtu siç bëri edhe i jati para tij.

Numri i gaforreve blu, që kanë jetuar këtu për një kohë shumë të gjatë, ka rënë me 70 për qind gjatë 15 vjetëve të fundit. Megjithë kufizimet e reja të peshkimit, gaforret nuk janë rigjeneruar, madje peshkatarët po bëjnë punë të tjera.

Hauard Ërnst jeton në brigjet e një përroi afër kryeqytetit të shtetit Merilend, Baltimorë. Ai thotë se njerëzit duhet të jenë të kujdeshsëm kur peshkojnë apo notojnë afër grykëderdhjes për shkak të ndotjes së zonës, veçanërisht pasi bie shi.

“Njerëzit mund të peshkojnë, por duhet të zbatojnë rregulloret e shtetit për sa i përket nivelit të mërkurit. Njerëzit mund të peshkojnë për gaforre, por shqetësimi kryesor është noti në këto ujëra pasi të ketë rënë shi”.

Zoti Ernst është profesor i shkencave politike në Akademinë e Marinës së Shteteve të Bashkuara. Në librin e tij të ri, “Lufta për Gjirin”, ai shkruan se rigjallërimi ka qënë kaq i ngadaltë për shkak të politikave të dështuara.

Aktivistët për pastrimin e Gjirit bëjnë thirrje për rregulla të reja dhe zbatimin e atyre ekzistuese. Administratorja e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit, Lisa Xhekson, thotë se një raport paraprak në përgjigje të urdhërit ekzekutiv të Presidentit Obama parashtron një politikë të ashpër kundër ndotësve të Gjirit.

“Qeveria federale nuk mund të bëjë të mundur pastrimin e Gjirit, por ne duhet të tregojmë udhëheqje, madje duhet të tregojmë gadishmëri për të zbatuar rregullat me shtetet dhe me sektorë të ndryshëm, nëse është nevoja”.

Një strategji për pastrimin e Gjirit Çesapik pritet të finalizohet deri në maj të vitit të ardhshëm. //kk//


XS
SM
MD
LG