Lidhje

Ekspozita me luftetarët prej argjile


Në Muzeun Kombëtar Gjeografik në Uashington është hapur Ekspozita "Luftëtarët prej Argjile të Perandorit të Parë Kinez". Ky është qyteti i katërt dhe i fundit ku shfaqet kjo ekspozitë, para se statujat dhe objektet e lashta të kthehen në Kinë.

Burri në statujën prej argjile u punua rreth 2 mijë vjet më parë dhe përfaqëson një kalorës prej balte që dikur mbronte varrin e Perandorit të Parë Kinez Qin Shihuangdi. Tani kalorësi dhe kali i tij janë vendosur në hyrje të Muzeut Kombëtar Gjeografik në Uashington, ku është hapur ekspozita më e madhe me punime balte që ka ardhur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara.

Profesori i Universitetit Stanford Albert Dean është kurator i ekspozitës, që përfshin edhe shtatore në përmasa njerëzore dhe 100 komplete me objekte antike.

"Kjo ushtri përfaqëson një shembull të pazakontë të krijimtarisë artistike në Kinën e lashtë dhe të shkallës së objekteve që punoheshin."

35 vjet më parë një grup fermerësh pranë Xian-it në provincën Shaanxi po hapnin një pusetë, kur hasën në një shtatore të një luftëtari prej argjile, duke shënuar një prej zbulimeve më të mëdha arkeologjike të shekullit të 20.

Sot, arkeologët besojnë se rreth 7000 punime në përmasa reale, qoftë kalorësish, kuajsh apo karrocash gjenden në varrin masiv që ishte zbuluar. Deri tani janë nxjerrë rreth 1000 prej tyre. Luftëtarët ishin varrosor për të mbrojtur Perandorin Qin Shihuangdi në jetën e përtejme.

Profesori Dean thotë se zbulimi i luftëtarëve prej argjile ka nxjerrë në dritë një informacion të paçmuar për dinastinë Qin, përfshirë ndërtimin e varrit masiv që zgjati 36 vjet.

"Kur të fillojnë të kuptojnë sa shumë dru u desh për të ndërtuar këto objekte, çfarë argjile u përdor, të gjitha këto sasi janë marramendëse."

Kjo është ekspozita më e madhe e shtatoreve kineze prej argjile në Shtetet e Bashkuara.

Shei –Fang, diplomat në ambasadën e Kinës në Uashington, foli në konferencën për shtyp në hapje të ekspozitës. Ai përmendi vizitën që zhvilloi kohët e fundit Presidenti Obama në Kinë:

"Vizita e Presidentit Obama në Kinë ishte me rëndësi historike dhe po ashtu është edhe kjo ekspozitë. Fakti që këto ndodhën në të njëjtën kohë është shenjë e zhvillimit të mëtejshëm të shkëmbimeve kulturore amerikano-kineze dhe e mirëkuptimit dhe miqësisë së ndërsjelltë."

Susan Norton, Drejtoreshë e Muzeut Kombëtar Gjeografik, thotë se ekspozita ka qenë shumë e suksesshme:

"I kapërceu parashikimet tona më fantastike. Deri tani kemi shitur 96 mijë bileta, një shifër e paparë."

Dyqani i suvenireve po u ofron vizitorëve shansin për të marrë me vete diçka: riprodhime në përmasa të vogla të shtatoreve prej argjile. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fund të marsit.//rd//


XS
SM
MD
LG