Lidhje

Konferenca e Kopenhagës për ngrohjen globale, a mund të arrihet marrëveshje e zbatueshme


Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara, ekspertë të klimës, aktivistë të mjedisit dhe mbi 60 udhëheqës shtetesh mblidhen nesër në Kopenhagë për një konferencë dy javore për ndryshimet klimatike. Qëllimi i kësaj konference është arritja e një marrëveshjeje të zbatueshme për pakësimin e çlirimit të gazeve serë. Por për momentin mbetet e paqartë se sa mund të arrihet kjo në Kopenhagë dhe si do të zbatohej një marrëveshje e tillë.


Delegatë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera do të mblidhen në Qendrën Bella të Kopenhagës për arritjen e një traktati që do të zëvendësonte Protokollin e Kjotos të 1997, i cili skadon në vitin 2012. Shumë përkrahës të këtij protokolli shkojnë në Danimarkë me shpresën se do të arrihet një marrëveshje e re e madhe me kushte të detyrueshme pas 2012 për pakësimin e gazit serë në dekadat në vazhdim.

Përkrahësit e kësaj marrëveshjeje janë shprehur me optimizëm se nën Presidentin Obama, Shtetet e Bashkuara do t’i bashkohen marrëveshjes së re. Shumë konservatorë në Amerikë janë kundër.

"Asnjë vend nuk është më i rëndësishëm se sa Shtetet e Bashkuara për zgjidhjen e çësthejve të ndryshimit të klimës”, tha Sekretari i Përgjithëshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, para komisionit të Senantit për Marrëdhënit me Jashtë disa javë më parë. Ky i ftuar i rëndësishëm në Kongresin amerikan, është edhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të ndryshimeve për kufijtë e lejuar të çlirimit të dioksidit të karbonit që sjell efektin serë.

Por projekt-ligji për ndryshimet klimatike, i miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve duket se ka ngecur në Senat. Senatori demokrat, John Kerry, thotë se miratimi i projekt-ligjit nuk do të arrihet para Konferencës së Palëve, COP15, në Kopenhagë.

"Ne shpresojmë të shkojmë në Kopenhagë me shpjegimet se ku qendron projekt-ligji ynë, të paktën në Senat”.

Analisti i politikës së klimës, Jake Schmidt, thotë se miratimi i ligjeve strikte për çlirimin e gazeve serë në Shtetet e Bashkuara është me rëndësi kritike për udhëheqjen e Amerikës në çështjet e mjedisit.

"Është e qartë se kemi para nesh lojtarë të besueshëm të skenës ndërkombëtare, ne duhet të kemi ligje që mbështesin angazhimet tona”.

Shtëpia e Bardhë thotë se Presidenti Obama do të propozojë në Kopenhagë shkurtimin me 17 përqind të gazeve serë në Shtetet e Bashkuara deri në vitin 2020, që është nën nivelin e vitit 2005. Një nga qëllimet e Konferencës së Kopenhagës është miratimi i një traktati ndërkombëtar, të detyrueshëm për vendet lidhur me ndryshimet klimatike.

Ndërsa disa analistë dhe studjues mendojnë se kjo është e vështirë të arihet, pasi Protokolli i Kjotos nuk ka patur atë sukses që duhet për t’u rinovuar, të tjerë thonë se kjo është e domosdoshme dhe plotësisht e realizueshme. Profesore Grasiela Shiçilniski e Universitetit Kolumbia dhe bashkëautore e librit “Saving Kyoto”, “Të shpëtojmë Kjoton”, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se objektivat e caktuara në Protokollin e Kjotos duhet të mbeten në fuqi.

“Është e mundur të shpëtohet Protokolli i Kjotos, në fakt protokolli vazhdon të jetë në fuqi pasi 2012, por vetëm klauzolave të tij u skadon afati në 2012, pra ajo që duhet bërë është e thjeshtë, të shtyhet afati i zbatimit të tyre

Konferenca e Kopenhagës shikohet si shansi i fundit për arritjen e një marrëveshjeje, por mbeten ende dyshime. Grupet e mjedisit kanë këmbëngulur se arritja e një marrëveshjeje është me rëndësi imperative edhe për vetë ekzistencën e jetës në planetin tonë. Një prej tyre është edhe profesore Shiçilniski, tezë të cilën ajo e ka trajtuar në hollësi në librin e saj “Saving Kyoto”.

Shumica e shkencëtarëve thonë se veprimtaria njerëzore qendron pas ngrohjes globale, prandaj u takon njerëzve ta ndryshojnë këtë realitet dhe ata theksojnë se politikat dhe ekonomia bëhen pengesë. Mbetet për t’u parë nëse politikanët u kanë kushtuar vemendje studimeve të shumta dhe përpjekjeve të grupeve ambjentaliste për t’i dhënë kthesë ngrohjes globale. (ze)

XS
SM
MD
LG