Lidhje

SHBA: forcohet tregu i dhënies me qera të banesave


Të kesh shtëpinë tënde ka qënë një pjesë e endërrës amerikane. Por kjo ëndërr është zbehur tani për shkak të recesionit ekonomik në Shtetet e Bashkuara. Miliona amerikanë nuk kanë qënë në gjendje të paguajnë këstin mujor të shtëpisë dhe janë detyrurar të dalin prej andej e të banojnë me qera. Por edhe pagesa e qerasa mund të jetë financiarisht e vështirë.

Deri kohët e fundit, Brenda Ganauej jetonte në shtëpinë e saj në Aleksandri të Virxhinias, një qytet në periferi të Uashington D.C-së. Por kriza ekonomike e preku edhe Brendën dhe ajo nuk mundi të vazhdonte të paguante këstin e shtëpisë.

"Ne mbetëm mbrapa me pagesat dhe nuk mundëm të merrnim hua në asnjë bankë tjetër dhe banka që kishte huanë tonë e mbylli llogarinë dhe na dha një afat për të dalë nga shtëpia”.

Tani në Amerikë janë miliona njerëz si Brenda. Rafael Bostik është ndihmës sekretar i Departamentit amerikan të Zhvillimit Urban dhe Strehimit, ose HUD. Ai thotë se numëri i amerikanëve që kanë shtëpitë e tyre është në rënie.

"Pronësia e shtëpive në Shtetet e Bashkuara ka qënë rreth 70 përqind. Tani ajo ka rënë disa miliona dhe rrjedhimisht kjo përqindje ka rënë ndjeshëm. Një pjesë e madhe e njerëzve tani jetojnë me qera”.

Qeraja ka disa avantazhe ndaj pronësisë së shtëpisë. Nëse qeraxhiu do të largohet, për shembull, atij nuk i duhet të gjejë blerësin për shtëpinë. Iazgul Odekova menaxhon një shtëpi me qera në Aleksandria. Ajo thotë se arsyeja kryesore që njerëzit jetojnë me qera është se ajo ka kosto më të ulët se sa pronësia e shtëpisë.

"Njerëzit jetojnë me qera për arsye të ndryshme. E para është se qerja është më e përballueshme. Kushton më pak të jetosh me qera dhe është pa rrezik”.

Qeraja është më e lirë për shumë arsye, thotë Arun Shu, një biznesmen i huaj që jeton me qera pranë Uashigtonit. Ai thotë se pronësia e shtëpisë shoqërohet edhe me shpenzime të tjera, krahas këstit mujor.

"Nëse vendos të blesh shtëpi, janë një sërë shpenzimesh që duhen patur parasysh. Nuk është vetëm kësti mujor, por janë edhe taksat e mirëmbajtja e shtëpisë. Ndoshta do të të duhet të shpenzosh edhe për restaurimin dhe rimodelimin e saj, nëse blen një shtëpi të banuar më parë nga dikush tjetër”.

Por edhe banimi me qera është i vështirë në tregun e sotëm, veçanërisht në qytetet e mëdha. Danilo Pelletiere, nëpunës i Koalicionit Kombëtar për Strehimin e banorëve me të Ardhura të Ulta, thotë se nuk ka mjaft shtëpi për t’u dhënë me qera dhe të varfërit janë të prekurit më shumë.

"Në Shtetet e Bashkuara vemendja është përqendruar si në nivelin lokal ashtu edhe atë kombëtar të pronësisë. Kjo ka prekur qeraxhinjtë, njerëzit me të ardhura të pakta dhe si rrjedhim ka një mungesë prej tri milion banesash për njerëzit me të ardhura të pakta”.

Edhe nëse gjen shtëpi, thotë zoti Pelletiere, të jesh në gjendje të paguash është një problem tjetër. Për të paguar qeranë, thotë ai, shumë njerëzve të varfër u duhet të bëjmë më shumë se një punë.

"Në tregun e sotëm duhet të kesh disa punë me pagë minimale për të përballuar një apartament dy dhomash. Të duhen rreth 18 dollarë për orë”.

Raphael Bostic i HUD-it thotë se qeveria amerikane ka programe për të ndihmuar familjet me të ardhura të pakta që të paguajnë qeranë.

"Ne i subvencionajmë familjet që të përballojnë pagesën për shtëpi që të jenë të një kualiteti të mirë banimi”.

Por shumica e analistëve thonë se pa u përmirësuar gjendja ekonomike në Shtetet e Bashkuara, blerja e shtëpisë apo marrja e saj me qera do të jetë e vështirë për njerëzit me të ardhura të ulta. //ad//

XS
SM
MD
LG