Kosova dhe Mali i Zi vendosën sot marrëdhënie diplomatike, një hap që u prit me indinjatë nga Beogradi.
Ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Malit të Zi, Skënder Hyseni dhe Milan Roçen ranë dakord që shkëmbimi i ambasadorëve të ndodhë më vonë.
Ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni hodhi poshtë njoftimet se Mali i Zi ka kushtëzuar dërgimin e ambasadorit me arritjen e një marrëveshjeje mbi statusin e pakicës malazeze në Kosovë.
Podgorica kërkon që disa mijëra malazezë që jetojnë në Kosovë të kenë statusin e pakicës kombëtare, me të drejtë të përfaqësimit në parlament dhe garanci për të drejta arsimore dhe kulturore.
Mali i Zi e njohu pavarësinë e Kosovës në tetor të vitit 2008, vetëm pak ditë pasi Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi kërkesën e Serbisë që ta hedhë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë çështjen e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës.
Beogradi reagoi duke dëbuar ambasadorin malazez i cili u kthye në Beograd në nëntor të vitit të kaluar. Vendosja e marrëdhënieve diplomatike ka indinjuar Beogradin, i cili vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës, të cilën deri tani e kanë njohur 65 vende të botës.
Pasdite, Ministria e jashtme e Serbisë ka tërhequr nga Podgorica ambasadorin për konsultime në Beograd.