Lidhje

Haiti: Përfundon faza kërkim-shpëtim


Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara thonë se qeveria e Haitit ka deklaruar se faza e kërkimi-shpëtimit ka përfunduar, por përpjekjet për të shpërndarë ushqime, ujë dhe pajime mjekësore janë duke u shtuar.

Skuadrat e shpëtimiti nxorën dje dy të mbijetuar nga rrënojat e ndërtesave në Porto Princ; një grua të moshuar 84 vjeçare dhe një djalë 22 vjeçar, 10 ditë pas tërmetit që shkatërroi në masë kryeqytetin dhe zonat rreth tij.

Kombet e Bashkuara thonë se qeveria e Haitit ka konfirmuar më shumë se 110 mijë të vdekur. Sot, haitianët u mblodhën në funeralin e peshkopit të Portoprinc, Xhosef Serzh Miot, pranë rrënojave të katedrales së tij. Kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti, i dërgoi një letër Presidentit të Haitit, Rene Prevel, duke bërë thirrje për qetësi nëpër rrugë, në mënyrë që ndihmat ndërkombëtare të shkojnë tek ata që kanë nevojë.

Ndërkohë, mijëra haitianë po përpiqen të largohen nga kryeqyteti Porto Princ pas më shumë se një jave që kur ky qytet u godit nga një tërmet i fuqishëm. Llogaritet se veç 200 mijë njerëzve që mund të kenë vdekur nga ky tërmet, dhe rreth 1.5 milion të tjerë kanë mbetur pastrehë.

Dëshpërimi po shndërohet në dhunë, ndërsa haitianët përpiqen të marrin ushqime, që shpërndahen nga organizatat e ndihmave. Ushqimet dhe uji nuk janë të mjaftueshme, megjithë ndihmat e vendeve nga e gjithë bota, që mbrrijnë aty çdo ditë. Shumë rrugë janë të papërdorshme dhe kjo është arsyeja që shumë banorë të Porto Princit po shkojnë në zonat rurale.

Ekipet e shpëtimit nuk kanë shumë shpresa për të gjetur njeri gjallë. George Voslu është pjesë e ekipeve të shpëtimit nga Afrika e Jugut.

“Ne gjetëm dy trupa dhe e dimë se edhe dy trupa të tjerë janë poshtë rënojave, por nuk mund të përcaktojmë vendin e saktë se ku ndodhen”.

Këto ekipe do ta përqëndrojnë tani punën tek të mbijetuarit. Grupi i ndihmave, Mjekët pa Kufij, thotë se shumë të plagosur po vdesin nga infeksioni i plagëve. Në përpjekje për të shpëtuar jetën e njerzve, ushtria amerikane po dërgon disa prej të plagosurve në një anije spital të marinës aty pranë.

Por shumë të plagosur të tjerë ende presin ndihmë mjeksore në kampet me tenda të ngritura në mbarë Porto Princin. Qeveria haitiane do të fillojë transferimin e rreth 400 mijë njerzve në zonat periferike të kryeqytetit.

Porti i dëmtuar i Porto Princit është rihapur dhe punonjësit e ndihmave thonë se më shumë ushqime, ujë dhe ilaçe do të jenë të disponueshëm së shpejti.

Kombet e Bashkuara po u bëjnë thirrje vendeve anëtare që të japin më shumë se 550 milion dollarë ndihma emergjente gjatë 6 muajve të ardhshme. Megjithatë, ka shumë mundësi që Haitit t’i nevojiten edhe më shumë ndihma për t’u rindërtuar. (ze)

XS
SM
MD
LG