Çdo vit grupi kërkimor Worldwatch me seli në Uashington publikon një studim me titullin ‘Gjendja e Botës’. Këtë vit studimi përqendrohet tek nevoja për të ndryshuar kulturën globale nga prirja për konsum drejt asaj për mbrojtjen e burimeve, sa më parë që të jetë e mundur, që të shmangen dëme të pariparueshme:
Shumë ekonomi në botë po zgjedhin metoda më të padëmshme për mjedisin. Megjithatë, pjesa më e madhe vazhdon të përqendrohet tek konsumi, siç thekson një studim i ri. Kjo prirje duhet të ndryshojë në mënyrë që të shmanget dëmtimi i mëtejshëm i mjedisit.
Kris Flavin është president i Institutit Worldwatch me qendër në Uashington:
“Bota ka bërë përparim shumë të madh në ndryshimin e politikave, në investimet në teknologji të reja, në rritjen e ndërgjegjësimit për problemet e mjedisit. Por mendojmë se mungon ende një transformim në kulturën njerëzore, që të përfaqësojë një largim nga prirja për konsum dhe një kahje nga zhvillimi i qëndrueshëm."
Shtetet e Bashkuara janë vendi numër një për konsumin në botë, thotë Erik Asandourian, drejtor i projektit:
“Amerika, e vetme, konsumon një të tretën e burimeve të botës.”
Ndryshimi duhet të vijë përmes medias, arsimit, biznesit dhe qeverisë, thotë ai. Shumë ndryshime kanë filluar që tani.
“Gjatë vitit të kaluar, Mishel Obama po nxiste idenë e kopshtarisë dhe si rezultat dyqanet shitën gjithë stoqet e farave.”
Edhe filmat e rinj, si Avatar, po ngrenë temën e mjedisit. Zoti Flavin thotë se edhe bizneset kanë pasur ndikim pozitiv. Një ndër to është rrjeti i shitjeve me pakicë Wal-Mart.
“Nga njëra anë, i gjithë modeli i biznesit të Wal-Martit bazohet në konsum. Nga ana tjetër, Wal Marti është angazhuar në përpjekje të jashtëzakonshme gjatë 2 vjetëve të fundit për të integruar mbrojtjen e mjedisit jo vetëm në praktikat e tij, por ua ka imponuar këtë prirje edhe furnizuesve të tij.”
Ai thotë se Walmarti kërkon tani prodhues që ndjekin praktika të gjelbra.
Por jo të gjithë mendojnë se duhet të pakësojnë konsumin. Patrick Michael i Institutit Cato nuk flet për problemet e mjedisit nga prizmi i konsumit. Ai thotë se ambjentalistët prej dekadash kanë përsëritur të njëjtat parashikime:
“Parashikime se popullata është tepër e madhe dhe do të bëhet e papërballueshme, se nuk do të kemi ushqim të mjaftueshëm, por këto nuk rezultuan të vërteta.”
Por udhëheqës fetarë, si Papa Benedikti, janë përpjekur të theksojnë për besimtarët se konsumi nuk është rruga drejt përmbushjes vetjake. Zoti Asadourian këmbëngul se paraja nuk blen lumturinë:
“Nëse e përkufizojmë lumturinë me sasinë e mallit që konsumojmë, kjo çon në një fund tragjik.”
Megjithëse Patrick Michael i Institutit Cato thotë se udhëheqësit fetarë dhe filmat kanë një ndikim afat-shkurtër, organizata World Watch mendon ndryshe.
Përveç filmit Avatar, zoti Asadourian sjell si shembull filmin e suksesshëm Walle:
“Ngjarjet zhvillohen pas një prirjeje ekstreme pas konsumit. Bota ishte shkatërruar nga një korporatë e titullur ‘blej me shumicë’ dhe të vetmit njerëz që kishin mbetur në botë ishin disa individë obezë që jetonin në hapësirë.”
Nga ana tjetër, reklamat nxisin konsumin duke filluar që në moshë të vogël.
Zoti Asadourian thotë se 1 për qind e produktit ekonomik global shpenzohet për reklama.
Ai thotë se ekonomia globale duhet të kalojë në një sistem më të prirur drejt mbrojtjes e kursimit, para se degradimi ekologjik të bëhet i papërballueshëm. (ze)