Në Shqipëri, presidenti Bamir Topi zhvilloi sot një raund të dytë takimesh me kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin socialist Edi Rama në përpjekje për gjetjen e një rrugëdaljeje nga ngërçi politik. Presidenti dëgjoi edhe një herë në takime të veçanta palët, të cilat, sipas asaj çka deklaruan në përfundim të bisedimeve rikonfirmuan qëndrimet e tyre të meparshme, duke mos shënuar kështu asnjë hap përpara drejt zgjidhjes. Drejtuesit e dy kampeve politike, kryeministri Sali Berisha dhe kryetari socialist Edi Rama, hynë sot të ndarë në presidencë. Kreu i shtetit zhvilloi me ta takime të veçanta në përpjekje për të kuptuar nëse palët kishin lënë hapësira përtej qëndrimeve që kishin mbajtur gjatë tryezës të së shtunës.