Lidhje

Tajgër Uds kërkon falje publikisht për veprimet e tij


Tiger Woods bëri sot një paraqitje të shumëpritur publike, me një konferencë të shkurtër për shtyp, ku shprehu keqardhje të thellë për veprimet e tij që i cilësoi si të papërgjegjshme dhe egoiste.

Me zë të dridhur dhe një pamje të ngrysur, ai iu drejtua në veçanti tifozëve të golfit dhe simpatizantëve të tij të shumtë duke kërkuar ndjesë që i zhgënjeu dhe shkeli respektin dhe besimin e tyre. Ai u ndal në veçanti në marrëdhëniet me të shoqen, duke shtuar se është plotësisht i vendosur për të rifituar besimin e saj dhe për të forcuar martesën e tij.

Tiger Woods është sportisti më i famshëm dhe më i sukseshëm në historinë e golfit. Publikimi i tradhëtisë së tij bashkëshortore njollosi jo vetëm imazhin e tij, por edhe mpaku interesin tek ky sport. Sportisti u kërkoi ndjesë sportdashësve, sponsorve të tij dhe në përgjithësi industrisë së golfit për goditjen që kanë marrë nga ky incident.

Ndërsa merrte përsipër përgjegjësinë personale për skandalin, Tiger Woods theksoi disa herë se kjo mbetet një çështje që prek vetëm atë si person publik dhe u bëri thirrje medias dhe sportdashësve që të respektojnë privacinë e familjes së tij.

Ai e mbylli konferencën e shtypit me premtimin se do të bëjë të gjitha përpjekjet, qoftë përmes psiko-analizës, ashtu edhe përmes budizmit për të kapërcyer problemet e tij me shpresën se do të kthehet një ditë në fushën e golfit.

XS
SM
MD
LG