Lidhje

Pa rezultat takimi i parë i delegacionit të KE në Shqipëri


Në Shqipëri, përpjekja e parë e delegacionit të Këshillit të Europës i cili uli mbrëmë sërish përballë njëri-tjetrit kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin socialist Edi Rama nuk solli asnjë rezultat.

Pas më shumë se dy orë bisedimesh në presidencë, palët kanë dalë pa bërë asnjë deklaratë, ndërsa nga zyra e shtypit të kreut të shtetit është njoftuar se bisedimet do të vazhdojnë edhe sot në mëngjes.

Në të vërtetë, koha e mbetur në dispozicion të delegacionit të Këshillit të Europës është e kufizuar. Ata duhet të largohen nga Tirana në mesditë dhe në orën 10 paradite kanë njoftuar një konferencë për shtyp.

Sipas burimeve jo zyrtare, anëtarët e asamblesë së Strasburgut kanë ofruar si një zgjidhje kompromisi, interpretimin nga komisioni i Venecias, të çështjes së kutive, duke qenë se shumica këmbëngul se hapja e tyre është antikushtetuese ndërsa opozita të kundërtën.

Por ky propozim nuk është pranuar mbrëmë nga kryetari socialist Edi Rama, sipas të cilit hetimi dhe transparenca në zgjedhje është një çështje në thelb parimore dhe jo çështje teknike.

Nuk dihet nëse bisedimet e mëngjesit të sotëm do të kenë për bazë ndonjë propozim të ri apo do të përqëndrohen në përpjekjet për të bindur opozitën.

Konferenca e shtypit e delegacionit të Këshillit të Europës pritet të hedh dritë mbi tratativat por edhe të qartësojë se çdo të ndodhë në ditët e ardhshme në skenën politike shqiptare. //kh//

XS
SM
MD
LG