Lidhje

Kalendari historik i datës 12 prill - 2001-04-12


Më 12 prill të vitit 1861, të shtënat e baterive të artilerisë së milicisë në Karolinën e Jugut në orët e para të mëngjesit, shënuan fillimin e luftës civile amerikane. Objektivi i zjarrit të artilerisë ishte baza Fort Sumter e ushtrisë së Unionit në gjirin Çarleston. Karolina e Jugut ishte shkëputur nga Unioni katër muaj më parë dhe kishte kërkuar që t’i dorëzoheshin të gjitha pronat federale brenda kufijve të saj. Fort Sumter ishte baza e fundit e ushtrisë së Unionit në këtë shtet. Komandanti i saj Robert Anderson, ishte i ndërgjegjshëm se pa përforcime nuk mund ta mbronte bazën. Megjithatë, ai tha se nuk mund ta dorëzonte atë pa marrë urdhër nga Washingtoni ose të paktën pa bërë një farë qendrese. Forcat ushtarake të konfederatës hapën zjarr, duke shkatërruar kazermat e bazës dhe duke i vënë zjarrin armëtores. Pas dy ditë e gjysmë bomardimi të pandërprerë dhe pasi kishin filluar të pakësoheshin furnizimet me ushqim e municion, majori Anderson e dorëzoi bazën.

Presidenti Franklin Delano Roosevelt vdiq më 12 prill të vitit 1945. Në janar të atij viti, ai kishte bërë betimin si presidenti i vendit për mandatin e tij të katërt. Zoti Roosevelt u zgjodh për herë të parë në vitin 1932, duke e mbështetur platformën e tij në premtimin për t’i nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga kriza e madhe ekonomike. Ai mbikëqyri zhvillimin industrial që i bëri Shtetet e Bashkuara një makinë të fuqishme ushtarake, të cilën ai e quajti arsenali i demokracisë në Luftën e Dytë Botërore dhe e udhëhoqi vendin gjatë periudhës më të madhe të konfliktit. Ai ishte presidenti i parë që shfrytëzoi në maksimum radion për të shpjeguar politikën dhe planet e tij për vendin. Zëri i tij u bë i njohur për të gjithë amerikanët nëpërmjet transmetimeve të tij radiofonike, të ashtuquajtura biseda rreth vatrës. Dhe ishte radioja ajo që dha e para lajmin për vdekjen e tij nga hemorragjia cerebrale në shtëpinë e tij verore në Warm Springs të shtetit Georgia.

XS
SM
MD
LG