Lidhje

Përdorimi i barnave qetësuese - 2001-04-27


Instituti Kombëtar për Abuzimin e Ilaçeve, bën të ditur se që nga viti 1999, 4 milionë amerikanë kanë përdorur pa pasur nevoja mjekësore, qetësues, stimulantë dhe barna për gjumë që veprojnë mbi sistemin nervor qendror. 50 përqind e këtyre 4 milionë njerëzve, e bënë një gjë të tillë për herë të parë vitin e kaluar. Për këtë arsye Instituti Kombëtar i Kontrollit të Përdorimit të Ilaçeve dhe partnerët e tij mjekësorë e farmaceutikë ndërmorën një nismë për t’i njohur njerëzit me rreziqet e shpërdorimit të ilaçeve që jepen me recetë nga mjeku. Alan Leshner, drejtor i këtij instituti, thekson se shpërdorimi i barnave përbën rrezik për këdo. Megjithatë tri grupet që sipas tij janë më të ndjeshëm ndaj shpërdorimit të qetësuesve që jepen me recetë mjeku, janë të moshuarit, të rinjt dhe gratë.

“ Për mendimin tonë, 17 përqind e gjithë amerikanëve 60 vjeç e lartë, i kanë provuar pasojat e shpërdorimit të barnave që jepen me recetë mjeku. Njerëzit e kësaj grupmoshe i përdorin barnat që u jep mjeku tri herë më shumë sesa pjesa tjetër e popullsisë. Shtimi më dramatik i numrit të përdoruesve të rinj të barnave jo për nevoja mjekësore, vihet re ndërmjet moshave nga 12 deri në 17 vjeç dhe nga 18 deri në 25 vjeç” - thotë zoti Leshner.

Doktori Leshner thotë se gratë janë të prirura t’i shpërdorojnë barnat qetësuese dhe ato kundër ankthit, më shumë sesa burrat, sepse ato vuajnë më shumë nga mërzia dhe ankthi.

Doktoresha Alice Young, është bashkëpunëtore shkencore e Institutit Kombëtar për Kontrollin e Përdorimit të Barnave Mjekësore, në përpjekjet për të ulur nivelin e shpërdorimit të barnave që jepen me recetë nga mjeku. Ajo është e mendimit se njerëzit që shpërdorojnë barnat mjekësore, e bëjnë këtë kryesisht për t’u qetësuar psikologjikisht. Sipas doktoreshës Young, disa firma farmaceutike kanë studiuar rrugë për të minimizuar rreziqet e shpërdorimit të barnave, duke ngadalësuar shpejtësinë me të cilën qetësuesit arrijnë në tru. Ngadalësimi i procesit të absorbimit të ilaçit nga truri, thekson ajo, mund të krijojë tek pacienti një model më të qendrueshëm të lehtësimit të dhimbjes.

Disa nga barnat me efekt të ngadalshëm, janë hedhur tashmë në treg. Por sipas doktoreshës Karla Birkolz, ato nuk mund t’i blejë çdo njeri. Sipas saj shumë njerëz marrin doza të dëmshme ilaçesh për të mjekuar probleme të tilla psikologjike si depresioni.

Për kryetarin e Shoqatës Farmaceutike Amerikane, Tom Meningham, vigjilenca është faktori kryesor në përpjekjet për të luftuar maninë e përdorimit pa vend të barnave që jepen me recetë mjeku.

“Farmacistët kanë një rol të dyfishtë: si profesionistë të kujdesit shëndetësor dhe si rojtarë të barnave potencialisht të rrezikshme. Krahas mjekëve që lëshojnë recetat, edhe farmacistët kanë përgjegjësinë që barnat mjekësore të përdoren siç duhet”- thotë zoti Meningham.

Shitjet e barnave me recetë nga mjeku janë trefishuar në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1996.

XS
SM
MD
LG