Analistë të çështjeve ballkanike thonë se politikat evropiane dhe amerikane ndaj vendeve të Evropës Juglindore ndonjëherë plotësojnë njëra-tjetrën, kurse herë të tjera janë kontradiktore. Gjatë dekadës së luftrave jugosllave të viteve 1990, nuk kishte një politikë evropiane të unifikuar për rajonin. Por kjo gjendje mund të jetë duke ndryshuar.
Analistja e çështjeve ballkanike, Susan Woodward është autore e librit “Tragjedia e Ballkanit: Kaos dhe Shthurrje pas Luftës së Ftohtë”. Ajo thotë se me zgjedhjen e një qeverie demokratike në Beograd, u dha rasti i parë për një politikë reale rajonale në Evropën Juglindore. Por si për ironi, thotë ajo, besimi në rajon për administratën e re amerikane është i dobët.
“Retorika e përdorur gjatë fushatës, krijoi shqetësime të mëdha në Evropë. Lindën pyetjet: A do të tërhiqen ata? Ç’do të bëjmë ne? Kështu, tamam në kohën kur diçka pozitive po ndodhte në rajon, dukej sikur diçka negative po ndodhte në Uashington përsa i përket qëndrimit ndaj Evropës Juglindore. Mendoj se një nga arsyet kryesore të dhunës që kërcënon aktualisht Maqedoninë nga nacionalistët shqiptarë, ka lidhje me fjalët për tërheqje”, thotë zonja Woodward.
Profesorja e shkencave politike, Woodward, thotë se në ditët tona, evropianët po japin ndihmesë të madhe për zhvillimin ekonomik dhe politik të Ballkanit. “Së pari vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë premtuar që më së fundi t’i anëtarësojnë të gjitha vendet e Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian. Nëpërmjet atij që quhet proçesi i pranimit, çdo vendi i jepet mundësia të nënshkruajë një marrëveshje asocimi me Bashkimin Evropian dhe të fillojë procesin e reformimit të strukturave të tij të brendshme për të plotësuar ato mijëra rregullore, që përbëjnë ato që evropianët i quajnë kritere të anëtarësimit.”
Sipas zonjës Woodward në 10 vjetët e fundit, që nga i ashtuquajturi dështim për të zgjidhur krizën jugosllave të vitit 1991, evropianët kanë nxjerrë disa mësime.
“I pari, pa dyshim, është që uniteti ndërmjet tyre është i domosdoshëm për të vepruar. Shumë nga problemet e Ballkanit kanë qenë rezultat i faktit që vende të veçanta dërgonin sinjale të ndryshme. Ne e pamë idenë e unitetit të demonstruar qartë në rastin e Malit të Zi. Qeveria e presidentit Gjukanoviç deklaroi se do të përpiqej për të arritur pavarësinë. Kurse evropianët e kanë kundërshtuar pa u lëkundur një ide të tillë. Mësimi i dytë që ata kanë nxjerrë, është se kur Shtetet e Bashkuara nuk janë në anën e tyre, ata do të kenë probleme. Dhe mësimi i tretë është se ndihma për popujt e rajonit, për hapat që ata vetë kanë projektuar në drejtim të demokracisë dhe reformave të tregut, është e efektshme kurse sanksionet jo”.
Por sipas zonjës Woodward këto qendrime të reja evropiane mund të mos jenë të mjaftueshme. Dhuna në Kosovë e Maqedoni, të bën të mendosh se rreziku i luftës është shumë real. Për më tepër megjithëse anëtarësimi në Bashkimin Evropian shihet si një mundësi, shumica e vendeve ballkanike, thotë ajo, nuk do t’i plotësonin kriteret e pranimit edhe për 20 ose 30 vjet.
Daniel Nelson, analist i çështjeve të Evropës Lindore dhe profesor në Qendrën George Marshall, në Garmisch të Gjermanisë, thotë se nuk është e vërtetë ideja se Bashkimi Evropian është i bashkuar në politikën e tij ndaj ish-Jugosllavisë.
“Ka një ndryshim përsa i përket qëndrimit të kryeqyteteve të Evropës Perëndimore ndaj ish-republikave jugosllave, përfshirë këtu edhe krizën e fundit brenda Maqedonisë. Mendoj se si amerikanët edhe popujt e ish-Jugosllavisë duhet të çlirohen nga ideja se ekziston një politikë evropiane. Francezët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të kenë marrëdhëniet më të mira me serbët e Beogradit, se kushdo tjetër. Dhe ndoshta është po aq e vërtetë që gjermanët vazhdojnë të kenë marrëdhënie më të mira me kroatët”.
Përsa i përket qëndrimit evropian pas përmbysjes së presidentit jugosllav, Sllobodan Milloshevic, zoti Nelson thotë se vendet evropiane janë nxituar të thonë se tani Serbia është krejt demokratike. Ndërsa provat vazhojnë të jenë pak të pasigurta.
Fakti që Millosheviçi u përmbys dhe Tuxhmani vdiq, thekson ai, i bën shumë njerëz të mendojnë që të gjitha problemet janë zgjidhur. Por nuk është aspak kështu. Problemet janë shumë më të thella dhe ndryshojnë nga një rajon në tjetrin, sidomos kur është fjala për nacionalizmin serb që ka qenë nxitur dhe përdorur aq shumë nga Millosheviçi. Këto gjëra nuk mund të zhduken me një ndryshim në qeveri. Demokracinë nuk e bëjnë zgjedhjet.
Duke folur për rolin e Shteteve të Bashkuara në Ballkan, zoti Nelson thotë se është më se e nevojshme që Shtetet e Bashkuara të ruajnë praninë e tyre në mënyrë të ndjeshme, jo vetëm me trupa, por edhe përsa i përket bashkërendimit të veprimeve. Duke folur për Maqedoninë, profesori Nelson tha se në se ky vend destabilizohet dhe fillon të copëtohet, atëhere mundësitë për një konflikt të ri e të zgjeruar do të ishin reale. “Dhe ne nuk mund të rrimë mënjanës e të themi s’ka ndonjë problem. Po kështu as evropianët. Shqetësimi im, shton ai, është që administrata e tanishme amerikane, si edhe disa vende evropiane, për shkak të qendrimit të Uashingtonit, mund të tundohen të bëjnë pikërisht këtë”.