Lidhje

Sekretari Powell për terrorizmin - 2001-05-01


Departamenti amerikan i shtetit publikoi raportin e tij me titull Praktika të Terrorizmit Global për vitin 2000, në të cilin Irani cilësohet si shteti më aktiv në mbështetjen e terrorizmit, vitin e kaluar.

Në raport thuhet se numri i vrasjeve nga operacionet ndërkombëtare terroriste është shtuar me 75 përqind. Sekretari i shtetit Colin Powell thotë se bota nuk ka zhdukur ende murtajën e terrorizmit.

“Por kjo nuk duhet të errësojë mesazhin bazë të raportit të sotëm se bashkëpunimi ndërkombëtar kundër terrorizmit po shtohet dhe po jep rezultate” - tha zoti Powell.

Sekretari Powell tha se 200-shi ishte një vit fitoresh me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Për shembull, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara vuri sanksione të tjera kundër lëvizjes Taleban sepse lejoi kampet terroriste që të funksiononin në territorin afgan. Madje u dënuan personat përgjegjës për shpërthimin e aeroplanit të firmës ajrore Pan Am mbi Lokerbie të Skocisë. Gjithashtu u gjykuan personat e akuzuar për shpërthimet në ambasadat amerikane në Afrikën lindore. “Rezultatet janë të qarta. Shtetet, që mbështesin terrorizmin, po izolohen gjithnjë e më shumë. Ndaj grupeve terroriste po shtohet presioni. Terroristët po nxirren para drejtësisë. Ne nuk do të ndalojmë luftën tonë kundër terrorizmit” - tha zoti Powell.

Sekretari Powell tha se sukseset tregojnë që Shtetet e Bashkuara po arrijnë objektivat e tyre bazë në luftën kundër terrorizmit. Ai tha se bashkëpunimi i vazhdueshëm me vende të ndryshme në Lindjen e Mesme dhe në Azi, dhe me organizata si Kombet e Bashkuara dhe Grupi i Tetëshes, ka treguar se jep rezultate pozitive.

Megjithatë, sekretari Powell tha se Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të vetëdijshme rreth kërcënimit të vazhdueshëm, që përbën terrorizmi.

“Terrorizmi është një sëmundje e vazhdueshme. Shumë prej jush më keni dëgjuar mua duke folur rreth anës pozitive të globalizimit. Terrorizmi tregon anën negative, ndërsa shfrytëzon lehtësimin e kufizimeve të udhëtimit, përmirësimet e komunikimit ose ndërkombëtarizimin e sistemit bankar e atë financiar, duke e bërë më të lehtë për terroristët që të bëjnë të njëjtën gjë me punën e tyre”.

Sekretari Powell thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën e tyre kundër terrorizmit.

“Ashtu si ne pranojmë sot sukseset, ne e dimë se do të ndeshemi me sfida të reja, madje edhe me zbrapsje. Megjithatë, ne vazhdojmë të pakësojmë ekspozimin tonë ndaj terrorizmit dhe mbi të gjitha të përtërijmë vendomërinë tonë për të konfrontuar dhe për të luftuar një rrezik të përhershëm ndaj paqes ndërkombëtare dhe njerzve të pafajshëm”. Përveç Iranit, Shtetet e Bashkuara përfshinë në raportin e tyre edhe Irakun, Sirinë, Libinë, Kubën, Korenë e Veriut dhe Sudanin si qeveri që mbështesin terrorizmin ndërkombëtar.

XS
SM
MD
LG