Lidhje

Kalendari historik i datës 16 maj - 2001-05-16


Më 16 maj të vitit 1868 vetëm për një votë Senati i Shteteve të Bashkuara nuk arriti të shkarkojë nga detyra presidentin Andrew Johnson. Kundërshtarëve të zotit Johnson u duhej edhe një votë për të siguruar dy të tretat e nevojshme për ta shpallur atë fajtor nën akuzat për krime të rënda dhe shpërdorim të postit zyrtar. Ai akuzohej se kishte shkarkuar Sekretarin e Luftës pa siguruar më parë miratimin e Kongresit, siç e kërkonte ligji. Megjithatë i ashtuquajturi krim i vërtetë i zotit Johnson ishte vazhdimi nga ana e tij i politikës së presidentit Abraham Lincoln, për të rivendosur me shpejtësi pjesëmarrjen e Jugut të mundur në jetën e Unionit, pas Luftës Civile Amerikane. Ky plan binte ndesh me dëshirën për të ndëshkuar Jugun, që kishin disa anëtarë të fuqishëm radikalë, republikanë, të Kongresit. Presidenti tjetër i Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit është ngritur padi nga Kongresi, ka qenë Bill Klinton, i cili u shpall i pafajshëm në shkurt të vitit 1999.

Më 16 maj të vitit 1929 personalitete të njohura të industrisë kinematografike amerikane, u mblodhën në një hotel në Hollywood për të dhënë të parat Çmime të Akademisë, që më vonë do të quheshin Çmimet Oskar. Thuhet se statuja e vogël që jepet me këtë rast e mori këtë emër fare rastësisht, kur një punonjëse e Akademisë tha se figura e statujës i ngjante xhaxhait të saj, që quhej Oskar. Në vitin 1929 fituesit e Çmimeve të Akademisë ishin informuar që më parë, pjesërisht për t’u siguruar që ata do të ishin të pranishëm në ceremoninë e dhënies së çmimeve. Thuhet se dhënia e çmimeve të para, gjatë një banketi madhështor, zgjati vetëm 5 minuta. Vitet e fundit transmetimi i ceremonisë së çmimeve Oscar nga Akademia e Artit Kinematografik dhe e Shkencave, është bërë një nga programet televizive më popullore, që tërheq një numër jashtëzakonisht të madh teleshikuesish nga e gjithë bota dhe zgjat të paktën tri orë.

XS
SM
MD
LG