Lidhje

Papandreu për Kosovën - 2001-05-24


Ministri i jashtëm grek George Papandreou tha se në Ballkan kemi të bëjmë me dy lloj botëkuptimesh të ndryshme, njëri që kërkon zgjidhjen e problemeve me anë të dhunës dhe tjetri që kërkon zgjidhje me rrugë demokratike. Ndonjëherë, tha zoti Papandreou, tek disa popuj të Ballkanit ekziston frika se ata mund të dalin të humbur dhe politikanët e shfrytëzojnë këtë frikë për qëllimet e tyre. Popujt e Ballkanit, tha ai, nuk ka përse ta ndjejnë veten të humbur, sepse ekzistojnë mundësitë që të gjitha palët të dalin të fituara.

Zoti Papandreou tha se problemet në Ballkan nuk mund zgjidhen me anë të ndryshimit të kufijve. Në rast se krijohet një precedent i tillë, tha ai, kjo nuk do të ketë fund. Por njëkohësisht, tha ministri i jashtëm grek, duhet të krijohen kushtet që pakicat kombëtare të cilat jetojnë brenda këtyre kufijve të gëzojnë të gjitha të drejtat. I pyetur se si e shikon ai statusin e ardhshëm të Kosovës zoti Papandreu tha:

“Mendoj se së pari, kemi një propozim të ri të Kombeve të Bashkuara për zgjedhjet në Kosovë. Ky është një hap i ri i rëndësishëm që do të lejojë shqiptarët e Kosovës por edhe të gjitha grupet e tjera etnike të marrin pjesë në zgjedhje dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Prandaj, aty do të kemi një përfaqësim zyrtar të këtij rajoni. Kjo do të na lejonte ne të ecnim drejt hapit tjetër, drejt diskutimeve të rëndësishme dhe serioze midis qeverisë jugosllave, udhëheqjes kosovare dhe komunitetit ndërkombëtar. Siç e dini, Kombet e Bashkuara janë shprehur shumë qartë mbi zgjidhjen në kuadrin e rezolutës 12-44 të OKB-së.

Por, se cila do të jetë me saktësi zgjidhja, këtu natyrisht ka nevojë të madhe për diskutim. Kur them diskutim dhe dialog, e kam gjithashtu fjalën për krijimin e masave të mëtejshme të besimit midis serbëve dhe shqiptarëve. Prandaj unë jam shumë i gëzuar për faktin se qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Jugosllavisë kanë vendosur tashmë marrëdhënie, se ato tani takohen dhe diskutojnë me njëra-tjetrën. Ne mund ta zgjidhim problemin në një mënyrë të moderuar. Më lejoni ta shtroj çështjen ndryshe: Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi të madhe është që, pavarësisht se cila do të jetë zgjidhja, kjo të jetë një zgjidhje e cila të dalë nga dialogu dhe nga një proces paqësor. Kjo është me interes për të gjithë.

Do të doja të përmendja edhe diçka tjetër po aq të rëndësishme. Të gjitha vendet tona kanë patur aspiratat e tyre. Ne grekët kemi patur idenë e Greqisë së Madhe dhe kemi dashur të çlirojmë popullatat greke kudo në Ballkan. Prandaj, ne i kuptojmë shumë mirë ndjenjat e shqiptarëve, qofshin ata kosovarë apo shqiptarë të Shqipërisë. Ne e dimë se çdo të thotë kjo në Ballkan, ne e dimë se ç’është kjo ndjenjë. Por ajo që ndryshon është se sot ka një alternativë tjetër dhe kjo alternativë është se ne po bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian. Shqipëria është në procesin e një etape shumë të rëndësishme, që mund të quhet faza paraprake e bisedimeve për marrëveshjen e asocimit dhe stabilizimit.

Kjo është një fazë në prag kandidaturës dhe kandidatura është faza para anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Brenda Bashkimit Evropian ka lëvizje të lirë të njerëzve dhe të kapitaleve, dhe ka një infrastrukturë që lidh pjesët e ndryshme të Evropës. Pra në fakt, pak rëndësi ka nëse jeton në këtë apo atë anë të kufirit. Prandaj më duket se ka shumë rëndësi që të shikojmë se si mund t’i lidhim me njëra tjetërn popullatat e ndryshme shqiptare, përmes infrastrukturës, përmes zhvillimit ekonomik, përmes stimujve për krijimin e bizneseve të vogla e të mesme, përmes veprimtarive kulturore, në mënyrë që të ketë një zhvillim të fuqishëm të kulturës shqiptare.

Ne duhet të shikojmë mundësinë që prania shqiptare në Ballkanin e gjerë të bëhet shumë e rëndësihme dhe konstruktive dhe unë jam i sigurt se ajo mund të bëhet e tillë. Unë e di se shqiptarët në Greqi kanë qenë shumë të rëndësishmë dhe shumë konstruktivë për ekonominë tonë. Pra mendoj se kemi të bëjmë me disa alternativa të ndryshme dhe kjo na lejon t’i zgjidhim këto çështje shumë tëvështira në Ballkan me një rrugëmë të moderuar dhe më paqësore”.

XS
SM
MD
LG