Lidhje

14 emigrantë meksikanë gjenden të vdekur - 2001-05-25


Në kufirin midis Amerikes dhe Meksikës, 14 emigrantë te paligjshëm u gjetën të vdekur dhe të braktisur nga kontrabandistët e tyre. Kjo tragjedi flet se sa rrezikojnë ndonjëherë njerëzit për të ardhur dhe punuar në Shtetet e Bashkuara pa marrë parasysh se çfarë mund ti presë në udhëtimin e tyre të mundimshëm. Ata kishin udhëtuar pesë ditë nën diellin e fortë të Arizonës. 27 burra, të gatshëm për të rrezikuar jetën e tyre për një të ardhme më të mirë. Kufomat e tyre u zbuluan nga sherifi Ralph Ogden dhe vartësit e tij.

“Ishte e tmerrshme t’i shihje. Hedh nje vështrim përreth dhe sheh trupa njerezish te perhapura nëpër shkretetire. Ky është rasti më tragjik qe kam parë ndonjëherë”, thotë sherifi.

Pas kërkimeve të shumta përgjatë një pjese të shkretëtirës autoritetet gjetën edhe 12 persona akoma të gjallë, njëri prej të cilëve nuk arriti të mbijetonte gjatë rrugës për në spital. Nga grupi i emigrantëve, vazhdon akoma të kërkohet edhe një person tjetër. Grupi e kaloi kufirin në një zonë të vetmuar, 250 kilometra në jugperëndim të qytetit Fenix, me ndihmën e një kontrabandisti. Zyrtarët amerikanë thonë se zakonisht emigrantët u paguajnë kontrabandistëve nga 1 mijë dollarë për të kaluar kufirin. Kjo mënyrë kalimi e paligjshme është kaq e zakonshme në Meksikë, saqë vetë qeveria bën fushatë për të paralajmëruar mbi rreziqet. “Emigracioni është tepër i rrezikshëm në ditët e sotme. Kufiri është tepër i pasigurt, por nëse ata arrijnë ta kalojnë, shpërblimi është puna të cilën ata e dëshirojnë aq shumë”, thotë ky zyrtar meksikan.

Me vulosjen e shumë shtigjeve kufitare që nga viti 1994, rreziku është rritur akoma më shumë. Emigrantët janë të detyruar të ndjekin rrugët më ekstreme. “Autoritetet po e përqendrojnë vemendjen në rrugët më të rrahura, duke i detyruar njerëzit të ndjekin shtigje të rrezikshme ne shkretëtirë ose male”, thotë zonja Salas, e cila merret me çështjet e të drejtave të imigrantëve. Autoritetet amerikane, thonë se rastet e fundit të vdekjeve nuk janë pasojë e operacionit për ndalimin e imigrantëve.

Lidhur me rastin e fundit, autoritetet meksikane kanë hedhur dyshime mbi një person me banim në Shtetet e Bashkuara, i cili nëse shpallet fajtor mund të dënohet rëndë, deri me vdekje.

XS
SM
MD
LG