Lidhje

OKB për refugjatët në Maqedoni - 2001-05-29


Zëdhënësi i agjencisë së OKB-së për refugjatët, Kris Janowski tha se numri i personave që besohet se janë bllokuar në fshatrat e Maqedonisë veriore, është midis 5 dhe 10 mije. Mijëra të tjerë, tha ai, kanë kërkuar strehim afër Kumanovës, në brendësi të Maqedonisë. Zoti Janowski tha se rreth 18 mijë njerëz janë larguar në drejtim të Serbisë jugore dhe Kosovës gjatë këtyre javëve të fundit.

“Situata është vështirësuar shumë kohët e fundit dhe deri tani janë 700 deri 1 mijë mijë njerëz që braktisin çdo ditë fshatrat e Maqedonisë veriore në drejtim të Kumanovës. Në të njëjtën kohë, shumë të tjerë largohen për në Serbinë Jugore” tha zoti Janowski.

Për banorët, shtoi ai, është më e lehtë të shkojnë në Serbinë Jugore, e cila ndodhet në kufi me zonat e konfliktit dhe më pas të kalojnë malet për në Kosovë. Grupet e armatosura shqiptare kontrollojnë rreth 12 fshatra në veri të Shkupit. Ushtria maqedonase ka filluar një ofensivë të gjerë ushtarake për t’i larguar ata prej andej.

Zëdhënësi i agjencisë së refugjatëve tha se organizata e tij është e shqetësuar për fatin e civilëve. “Ne kemi patur të dhëna për njerëz që janë detyruar të qendrojnë ose nuk janë lejuar të largohen nga shtëpite e tyre. Akoma nuk e kemi plotësisht të qartë situatën, megjithatë kemi të dhëna. Gjithashtu kemi mësuar se popullsia e tërë fshatit është urdhëruar të largohet nga një urdhër zyrtar i qeverisë së Maqedonisë. Pra, njerezit janë urdhëruar të largohen në mënyrë që të luftohen rebelët, dhe në të njëjtën kohë, shumë civilë të tjerë nuk janë lejuar të braktisin shtëpitë e tyre” - tha zëdhënësi.

Agjensia për Refugjatët e Kombeve te Bashkuara, i bën thirrje të dyja palëve të konfliktit që të respektojnë civilët. Ajo thotë se njerëzit nuk duhet të qëndrojnë ose të largohen jashtë dëshirës së tyre.

XS
SM
MD
LG