Forcat maqedonase sulmuan pozicionet e kryengritësve shqiptarë në veri të vendit, disa orë pasi grupet e armatosura propozuan një armëpushim. Forcat qeveritare përdorën artilerinë dhe helikopterët kundër luftëtarëve shqiptarë, të bllokuar përreth fshatrave në veri lindje të Shkupit.
Agjencia maqedonase e lajmeve njoftoi gjithashtu për bombardime përth Tetovës. Nuk ka njoftime për viktima. Luftimet filluan pasi qeveria maqedonase hodhi poshtë thirrjen e luftëtarëve shqiptarë për armëpushim, duke përsëritur zotimin e saj se nuk zhvillon negociata me ekstremistët. Ushtria Çlirimtare Kombëtare kishte deklaruar se do tu jepte fund luftimeve mbrëmë në mesnatë, në qoftë se ushtria maqedonase do të bënte të njejtën gjë.
Në Bruksel, ministri i jashtëm rus Igor Ivanor dhe sekretari i përgjithshëm i Natos, George Robertson, shprehën mbështetje për operacionet e qeverisë maqedonase. Ata këmbëngulën se varret nga grupet e armatosura që të ndalojnë dhunën.
Ndërkaq, presidenti Boris Trajkovski shpalli planin e tij për ti dhënë fund krizës në një fjalim që sapo mbajti në parlament. Diplomatët thonë se zoti Trajkovski do të propozonte që grupet e armatosura të lejohen të lënë armët dhe të tërhiqen nga rajoni. Më parë, kryeministri Ljubco Georgievski kishte bërë thirrje për shpalljen e gjendjes së luftës, pa marrë parasysh presionin ndërkombëtar për të treguar përmbajtje.
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana mbërrin sonte në Shkup, ndërsa komuniteti ndërkombëtar përpiqet të gjejë një zgjidhje të krizës. Zyrtarët perëndimorë thonë se një luftë e vërtetë kundër grupeve të armatosura do të sillte vetëm mbështetje për kryengritësit nga komuniteti shqiptar në Maqedoni, i cili përbën një të tretën e popullatës së vendit.