Lidhje

Maqedoni: koalicioni qeveritar bie dakort me planin e paqes. - 2001-06-09


Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Havier Solana, thotë se partitë e koalicionit qeveritar në Maqedoni kanë rënë dakord për një plan paqeje që ka për synim t’i japë fund kryengritjes së grupeve të armatosura shqiptare.

Zoti Solana tha sot në Shkup se anëtarët e koalicionit kanë shprehur mbështetje për një plan të paraqitur dje nga presidenti i Maqedonisë, Boris Trajkovski.

Plani i zotit Trajkovski parashikon shkallëzimin e reformave politike, riorganizimin e forcave të sigurimit dhe një amnisti për luftëtarët shqiptarë që pranojnë të ulin armët dhe t’i kthehen jetës civile.

Përgjithësisht, udhëheqësi shqiptar, Arbën Xhaferri, shprehu mbështetje për propzimin, por ai ende nuk është sigurt, duke thënë se plani është shumë i paqartë.

Zoti Solana u takua sot me udhëheqësit e partive të qeverisë maqedonase të koalicionit. Më pas, ai u tha gazetarëve se një zgjidhje politike e krizës nuk mund të arrihet me anë të dhunës.

Luftimet vazhduan edhe sot, ndërkohë që forcat qeveritare bombarduan fshatrat në veri të Shkupit që mbahen nga luftëtarët shqiptarë dhe forcat policore ngritën postblloqe përret Haraçinës, të cilën luftëtarët shqiptarë e morën nën kontroll dje.

Me marrjen nën kontroll të Haraçinës, luftëtarët shqiptarë janë tani vetëm rreth 10 kilometra larg Shkupit.

Ministri i Brendshëm maqedonas, Ljubo Boskovski, tha se forcat po presin urdhrin që të përpiqen ta marrin Haraçinën, duke u zotuar se kryengritësit do të shpartallohen. Mundësitë e zhvillimit të një beteje për Haraçinën ka shtyrë qindra banorë të ikin në zona të tjera.

Forcat qeveritare rifilluan sot ofensivën edhe kundër fshatrave që mbahen nga luftëtarët shqiptarë në veri të Shkupit.

XS
SM
MD
LG